Ambasadori gjerman

Rohde viziton shtëpinë muze të masakrës në Poklek të Drenasit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë,Jorn Rohde, e ka vizituar sot shtëpinë muze të masakrës në fshatin Poklek të Komunës së Drenasit.

Ambasadorin Rohde e ka pritur Fadil Muqolli, të cilit forcat serbe gjatë luftës ia kanë masakruar të gjithë familjen.

“Sot në Poklek, tek Shtëpia Muze, prita në vizitë Ambasadorin gjerman Jörn Rohde, i shoqeruar nga Xhavit, Arbeni dhe Arbëri nga Drenasi. Vizita e tyre shërben si një dëshmi për rëndësinë e vazhdueshme të ruajtjes së të kaluarës sonë të trishtë”, ka shkruar Muqolli.

Ai ka thënë se për ambasadorin gjerman ishte vizita e parë në Poklek, i cili gjithashtu kishte shprehur trishtimin e tij lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.

“Për ambasadorin gjerman ishte hera e parë që viziton Poklekun, dhe shprehu hapur trishtimin e tij lidhur me atë çfarë kishtë ndodhur në Poklek me 17 prill 1999, në anën tjetër, ne si familjar, të detyruar ta pranojmë këtë fakt, shprehem trishtimin dhe dëshpërimin tonë për mos ndjekjen e kryerësve të këtij krimi nga organet përkatëse”, ka shkruar Muqolli.

Kujtojmë që në këtë 17 prill, në 25 vjetorin e masakrës, pritet të funksionalizohet ky muze i cili është i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).