Jorn Rohde

Rohde për deklaratën e Stoltenbergut: Mandati i NATO-s s’ka ndryshuar

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka parë si qëndrim më të fortë të NATO-s ndaj sulmit terrorist në Banjskë, deklaratën e sekretarit Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.

Një ditë më parë, sekretari i NATO-s u shpreh në Kosovë se përgjegjësit e sulmeve të majit dhe shtatorit duhet të ndëshkohen. Ai ka thënë se ato kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.

I pyetur për këtë deklaratë, ambasadori Rohde ka thënë para gazetarëve se nuk i sheh deklaratat si diçka tjetër, veçse përkrahje për stabilitetin.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri…. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri”, ka thënë Rohde të martën, pas hapjes së fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”. “Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, ka shtuar ai, teksa ka lavdëruar Policinë e Kosovës.