Rohde: Jam i fundit ambasador gjerman që do ta pyesni për liberalizimin e vizave

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka thënë se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave, për shkak se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë këtë vit.

“Po, unë jam i fundit”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për Klan Kosovën.

Ai tutje, në deklarimin e tij vijoi me shpresën se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë këtë vit, duke shtuar se për Gjermaninë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është e vonuar.

“Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë edhe gjatë vizitës së fundit të ministres dhe ministrit vitin e kaluar. Për ne kjo çështje është vonuar dhe ky është mendimi edhe i shumicës së vendeve të tjera. Mendoj se ai ka më shumë gjasa të vijë herët, sesa vonë. Dhe unë nuk jam vetëm ambasadori i fundit. Shpresoj se liberalizimi do të vijë këtë vit”, tha ai.

Ambasadori gjerman është deklaruar edhe për çështjen e imigrimit, duke thënë se kjo është një çështje individuale.

“Unë jam ambasador gjerman dhe me këtë më duhet të marr dy vendime të vështira. Gjermania është një vend i vjetër. Imigrimi është mirë për Gjermaninë, por jo aq mirë për Kosovën. Ju jeni vendi më i ri në Evropë. Mirëpo emigrimi dhe imigrimi gjithmonë janë çështje individuale. Ne jetojmë në një demokraci dhe çdo vit nga Gjermania emigrojnë 300.000 gjermanë që shkojnë në vende të ndryshme. Disa edhe kthehen”, ka shtuar Rohde.

Me tej, ai ka përsëritu edhe një herë se emigrimi është vendim individual, duke treguar se edhe prindërit e tij kanë emigruar nga Gjermania në vitet ’50, për shkak të situatës së rëndë ekonomike që gjendej Gjermania në atë kohë.

“Ne kemi projektprograme këtu përmes së cilave kthehen edhe kosovarët që kanë një kualifikim dhe ne i mbështesim ata që kthehen për të ndihmuar në ngritjen e vendit të tyre. Prandaj edhe përpiqemi që të përmirësojmë edhe kushtet: më shumë investime, më shumë siguri ligjore, arsim më të mirë profesional, arsim profesional dual. Edhe një herë: emigrimi është vendim individual. Edhe prindërit e mi kanë emigruar nga Gjermania në vitet ’50, sepse situata ekonomike në Gjermaninë e pasluftës nuk ka qenë aq e mirë, por më vonë janë kthyer dhe kjo mund të ndodhë gjithherë”, ka vijuar Joern Rohde.