Robben i dëshpëruar me formën e tij fizike

Kthehet Champions League, kthehen edhe yjet e ekipeve të mëdha të Europës. Mes ndeshjeve më të pritura të 1/8-ave është ajo që do të luhet mesjavën e ardhshme mes Liverpoolit dhe Bayernit.

Në këtë përballje gjigantësh, gjithsesi, do të mungojë një yll, i cili nuk shihet prej kohësh në fushë. Arjen Robben nuk luan që nga 27 nëntori dhe ndeshja e tij e fundit ka qenë pikërisht në Champions League kundër Benficas, me holandezin që ka shënuar dy gola. Nga ai moment, edhe për shkak të pushimit dimëror, nuk ka luajtur më.

Problemet e zakonshme muskulore? Po, por edhe vitet që kalojnë bëjnë të vetën, veçanërisht për një futbollist që ka patur shumë probleme fizike gjatë karrierës së tij. Dhe këtë herë vështirësia për të rikuperuar formën është akoma më e madhe. Ka qenë vetë lojtari që e ka pranuar për “BILD”: “Kam provuar gjithçka, por nuk ka asnjë ndryshim. Disa herë kam qenë afër rikthimit, por më pas kam patur përsëri probleme”.

Një vuajtje e vazhdueshme dhe e vështirë për t’u përballuar nga një 35-vjeçar me kontratën drejt skadencës. Robben ka konfirmuar se ndihet i “dëshpëruar” nga kjo situatë dhe se nuk e kupton me saktësi shkakun e problemeve fizike. “Nuk arrijmë ta kuptojmë saktësi se çfarë po më ndodh. Është një situatë me të vërtetë e komplikuar”.

Ashtu siç është i komplikuar edhe sezoni i Bayern Munich, që është pesë pikë larg Borussia Dortmund në kampionat dhe që do të duhet të përballet me armikun Klopp pa njërin prej yjeve më të rëndësishëm të skuadrës…