Rizvanolli: Zhvillimi i Trepçës është kthyer në binarë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se zhvillimi i ndërmarrjes “Trepça” është kthyer në binarë.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, ajo ka renditur disa prej të cilave i ka cilësuar si suksese të ndërmarrjes të cilën e ka cilësuar me peshë historike për Kosovën.

“Më 2022 Trepça: pagë mesatare 805€ për minatorë; angazhim i 200+ punonjësve për praktikë; shpenzimet janë ulur për 18%; të hyrat janë rritur për 23%; investimet kapitale janë rritur për 20%; kursim i 1800 MWh energji në krahasim me vitin paraprak. Trepça është ndërmarrje me peshë socioekonomike e historike, për Mitrovicën e tërë Republikën”, ka thënë ajo. “Zhvillimi i saj është kthyer në binarë”.

Rizvanolli është zotuar se Trepëa “do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e Qeverisë”.

Megjithatë ka shtuar se shteti pret nga kjo ndërmarrje rezultate e llogaridhënie ndaj taksapaguesve.

Gjatë ditës, Ministria e Ekonomisë njoftoi se bordi i ndërmarrjes “Trepça” është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Rizvanolli.

Në komunikatën e ME-së thuhej se “gjatë vitit 2022, Trepça ka arritur që të ulë shpenzimet, të rrisë të hyrat dhe të rrisë investimet kapitale nga buxheti vetanak”.

“Shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative janë ulur për 9 për qind, respektivisht 18 për qind, të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit e zinkut janë rritur për 23 për qind, ndërkaq investimet kapitale nga buxheti vetanak për vitin 2022 janë rritur për 20%. Falë një plani të kujdesshëm, ndërmarrja ka kursyer mbi 1800 MWh energji gjatë këtij viti krahasuar me periudhën paraprake, ndonëse është ballafaquar me çmimin e ngritur të tregut ndërkombëtar të energjisë”, thuhej në komunikatë.

Ministria ka bërë të ditur se Trepça po planifikon që të bëjë shitjen e mbetjeve në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh dhe investime kapitale në teknologji moderne e efikase, që të mundësohet shfrytëzimi më i mirë i energjisë dhe xehes, dhe që mbron mjedisin.