Rizvanolli: Siguria energjetike mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me ftesë të ministrit grek për Energji dhe Mjedis, Kostas Skrekas, ka marrë pjesë në dialogun e parë ministror të energjisë në Athinë me temën: “Garantimi i sigurisë energjetike në një botë në zhvillim”.

Gjatë takimit, ministrat kanë diskutuar rreth shtrirjes e zgjerimit të lidhjeve të transmisionit, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtërishme të energjisë në miksin e energjisë të vendeve të Evropës jug-lindore si dhe rritjes së efiçiencës së energjisë si një ndër hapat kyç në përballje me krizën energjetike evropiane.

Rizvanolli, gjatë diskutimit me ministra ka cekur që siguria e energjisë mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë, në të cilin varen pavarësia dhe siguria energjetike e Evropës.

Në takimin ministror kanë marrë pjesë edhe ministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ministri i Bullgarisë, Rosen Hristov, Ministri i Italisë, Gilberto Pichetto Fratin, si dhe ministri i Rumanisë, Virgil-Daniel Popescu.