Ministrja e Ekonomisë

Rizvanolli mburret për ulje të konsumit të rrymës, opozita thotë se indikator është migrimi

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se është ulur kërkesa për energji elektrike nga ana e amvisërisë, ndërsa është rritur konsumi nga ana e bizneseve, për të cilën vlerësoi se e gjithë kjo reflekton në rritjen e aktivitetit ekonomik.

Gjatë raportimit të saj në komisionin për Ekonomi lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planin e punës për vitin 2024, ajo ka thënë se në bazë të kontrolleve në terren që ka kryer KEDS-i vitin e kaluar, janë identifikuar një numër i madh i vjedhjeve të energjisë elektrike.

Duke folur për konsumin me energji elektrike, Rizvanolli ka thënë se po vidhen edhe konsumatorët tjerë që e paguajnë atë.

“Jo vetëm që është stabilizuar kërkesa e amvisërive, mirëpo edhe që po shkon mesatarisht duke u ulur, e që është shumë pozitive dhe në fakt është arritje përtej asaj çfarë kemi shpresuar kur i kemi për kampanjat edhe për Efiçiencë edhe për konsum të energjisë. Në anën tjetër, tek konsumi, gjithnjë më shumë po vjen prej bizneseve që reflekton rritjen e aktivitetit ekonomik. Kemi edhe ulje të humbjeve teknike komisiale që është tejet me rëndësi…Kemi kërkuar nga kompania e distribucionit KEDS që të ketë kontrolle shtesë për vjedhje të energjisë elektrike, dhe ata i kanë raportuar në baza javore përgjatë vitit të fundit i kanë pasur rreth 250 vizita për çdo muaj dhe janë identifikuar prej tyre rreth 30. Janë identifikuar një nëmur i madh i vjedhjeve të energjisë…po vidhen konsumatorët tjerë që e paguajnë”, tha Rizvanolli.

Sa i përket uljes së konsumit të energjisë, kryetari i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala ka thënë se kjo lidhet me numrin e madh të qytetarëve të migruar përgjatë dy viteve të fundit.

“Meqenëse po flasim për indikatorët, këtë që e thoni tek çështja e amvisërisë, duhet ta keni parasysh edhe indikatorin që shumë ekonomi familjare më nuk janë, vetëm dy vitet e fundit kemi mbi qindra mijëra njerëz që kanë dalë nga Kosovadhe indikatori i largimit të njerëzve nga Kosova ka bërë që ta stabilizojë konsumin e energjisë së familjeve. Pra nuk mund të shohim shumë si rezultat nëse nuk e kemi edhe indikatorin e të larguarve dhe atyre që kanë pasivizuar çështjen e konsumit familjar e sot janë në perëndim, sepse ata konsumojnë, veçse në perëndim, jo në Kosovë, nuk e kemi këtë shifër”, tha Shala.

Deklaratën e deputetit Shala e ka kundërshtuar, ministrja Rizvanolli, e cila tha se edhe po të përfshihen ata që e kanë konsumin zero, ka një ulje prej 7 për qind vetëm brenda dy viteve në sektorin e energjisë.

“Jo nuk është në fakt ky efekt i emigrimit…Edhe po t’i përfshijmë ata që e kanë konsumin zero, prej një situate ku kemi pasur rritje mesatare prej 17 për qind në ulje prej 7 për qind brenda veç dy viteve, është e pakontestueshme dhe në fakt ky mund të jetë lajmi më i mirë në sektor të energjisë në dekadën e fundit”, tha Rizvanolli.

Ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, mes tjerash ka thënë se tek kompania “Iber Lepeci”, është një ndërmarrje që ndër vite ka pasur humbje rreth 2 apo 3 milionë euro, për çfarë tha se për herë të parë pas vitit 2008 ka pas fitim gjatë vitit të kaluar.

VIDEO BONUS: Berisha: FSK-ja e komandanti saj po bëjnë një punë të mirë