Rita Ora bëri një vizitë emocionale në vendlindjen e saj, Kosovë, në një udhëtim të veçantë si ambasadore e “Unicef” në Mbretërinë e Bashkuar.
Rita Ora ka folur për vizitën e saj emocionale dhe ‘të veçantë’ në vendlindjen e saj, Kosovë, si pjesë e punës së saj si ambasadore e “Unicef” në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan DailyMail, transmeton lajmi.net.
Këngëtarja, 28 vjeçare, e cila u largua nga vendi si një fëmijë kur familja e saj u detyrua të largohej për shkak konflikti, tha se udhëtimi për në vendlindjen e saj dhe takimi me të rinjtë që ishin ndihmuar nga bamirësia “thotë gjithçka për të”.
“Takimi me fëmijë dhe familje në vendin ku kam lindur ishte shumë i veçantë dhe të shoh me sytë e mi punën që bën UNICEF-i për t’i mbështetur ata më ka bërë më të përkushtuar se kurrë që të shfrytëzoj pozitën time për të mbështetur dhe për të bërë fushata”, tha Rita.
“Familja ime u largua nga Kosova për shkak të konfliktit në kërkim të sigurisë dhe mundësive më të mira për të ardhmen. Sot, është mrekulli të shohësh Kosovën në paqe dhe fëmijët kanë qasje më të mirë në shëndetësi dhe edukim më të mirë”, shtoi ajo.
Ky udhëtim emocional i këngëtares do të përmbledhet në një dokumentar, që do të transmetohet në “Soccer Aid for Unicef” në ITV këtë të diel.
Ylli ka parë vetë se si fushata e bamirësisë ka përmirësuar shëndetin dhe edukimin e fëmijëve.
Rita kaloi kohë duke takuar të rinjtë dhe familjet e tyre, duke përfshirë një adoleshente, babai i të cilës vdiq kur ishte fëmijë, përpara se nëna e saj të diagnostikohet me kancer.
Rita tha: “Kam pasur nderin të vizitoj 19-vjeçaren Antigona që jeton në një zonë rurale jashtë kryeqytetit, Prishtinë. Babai i saj kishte vdekur kur ajo ishte shumë e re dhe më pas nëna e saj u diagnostikua me kancer, dhe kështu ajo u desh të linte shkollën për t’u kujdesur për vëllezërit dhe motrat e saja dhe kështu nuk pati mundësi shkollimi”.
“Antigona u martua në moshën 16 vjeçare dhe tani ka dy vajza, të cilat ajo dëshiron të japë mundësitë që ajo kurrë nuk i kishte”.
Ajo tha se udhëtimi në vendlindje ishte i paharruar. “Kam parë gjithë punën e UNICEF-it dhe të njerëzve si infermierja Kefsere që kanë bërë në Kosovë, vendin nga vijë unë, dhe kjo ka shumë rëndësi për mua. Të jesh atje dhe të shohësh gjërat me sytë e tu është vërtetë e pabesueshme”.
Rita, është ambasadore e UNICEF në Britaninë e Madhe që nga viti 2013, ajo së fundi ka qenë e angazhuar me turneun e koncerteve në Evropë.









