Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për rifunksionalizimin e Kolegjiumit të Degëve në Prishtinë, në kuadër të procesit të riorganizimit të brendshëm të partisë.

Sipas njoftimit të kësaj partie, ky mekanizëm rikthehet në funksion bazuar në autorizimet e dhëna nga Kuvendi i LDK-së, me synim forcimin e strukturave dhe koordinimin më të mirë të veprimit politik në Kryeqytet.

“Njoftojmë anëtarësinë tonë se, në kuadër të procesit të riorganizimit të brendshëm dhe në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është rifunksionalizuar Kolegjiumi i Degëve të Prishtinës, si një mekanizëm i rëndësishëm për koordinim, vendimmarrje dhe forcimin e strukturave tona në Kryeqytet”, thuhet në njoftim.

LDK bën të ditur se Kolegjiumi do të shërbejë si platformë për harmonizimin e qëndrimeve politike lidhur me çështjet e Prishtinës.

“Kolegjiumi do të shërbejë si një platformë e përbashkët për harmonizimin e qëndrimeve politike të LDK-së në çështjet që lidhen me Kryeqytetin, duke siguruar një qasje të unifikuar, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme në përfaqësimin tonë politik dhe institucional”, theksohet më tej.

Në kuadër të këtij procesi, LDK paralajmëron edhe miratimin e akteve normative që do të rregullojnë funksionimin e këtij organi.

“Në vijim të këtij procesi, së shpejti do të miratohen aktet normative të Kolegjiumit, të cilat do të përcaktojnë qartë organizimin, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të tij, në funksion të fuqizimit të strukturave tona, rritjes së efikasitetit dhe transparencës në veprimtarinë politike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, LDK ka bërë të ditur se do të mbahet një takim me asambleistët e saj në Prishtinë për të koordinuar veprimin politik në Kuvendin Komunal.

“Gjithashtu, së shpejti do të mbahet një takim me asambleistët e LDK-së në Prishtinë, me qëllim të koordinimit të mëtejshëm të veprimit tonë politik në Kuvendin Komunal, si dhe në funksion të avancimit të qëndrimeve tona të përbashkëta”, thuhet ndër të tjera.

LDK thekson se angazhimi i saj mbetet i fokusuar në zbatimin e programit për Kryeqytetin, me synim përmirësimin e shërbimeve publike dhe cilësisë së jetës për qytetarët.

“Në këtë kuadër, angazhimi ynë mbetet i përqendruar në zbatimin konsekuent të programit të LDK-së për Kryeqytetin, duke synuar përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, ky proces synon konsolidimin e mëtejshëm të partisë si alternativë kryesore e djathtë dhe forcimin e përfaqësimit në Prishtinë.

“Ky proces synon konsolidimin e mëtejshëm të LDK-së si alternativa kryesore e djathtë dhe forcimin e përfaqësimit tonë në Kryeqytet, përmes një veprimi të koordinuar, të përgjegjshëm dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete”, përfundon njoftimi.