Rinumërohen 408 vendvotime, mund të ketë edhe rinumërime të tjera

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të 529 vendvotimeve, ku deri më tani janë rinumëruar 408 vendvotime apo 77 për qind.

Ndonëse nga zyrtarë të QNR-së është thënë se procesi është duke vazhduar pa probleme, disa vëzhgues i kanë thënë KosovaPress-it se në një vendvotim në Runik të Skenderajt mungojnë rreth 450 fletëvotime të papërdorura.

Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj, tha se deri më tani procesi i rinumërimit është duke vazhduar pa probleme, derisa lidhur me mungesën e fletëvotimeve në Runik ai thotë se nuk posedojnë informacione të tilla.

“Procesi është duke rrjedhur normalisht, gjatë këtyre dy ditëve do të mundohemi që ky proces të kompletohet, në mënyrë që të vazhdojmë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta…Nuk kemi ndonjë informacion të tillë, por sido qoftë jemi ne procesin e rinumërimit do t’i shqyrtojmë të gjitha rastet dhe çdo rast, çdo diferencë nëse shohim ndonjë diferencë të tillë, atëherë do të hapet rasti i hetimit dhe do të nxirret raporti në bazë të të gjeturave. Mirëpo, aktualisht deri më tani nuk kemi ndonjë rast të tillë, por sidoqoftë, të gjitha këto raste do të shqyrtohen nëse do të ketë dhe do të përgatisim raport për to”, tha ai.

loading…