Rinumërimi i votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të zgjasë edhe të paktën dy javë të tjera, ndërsa procesi i plotë i ankesave mund ta shtyjë certifikimin e rezultateve zgjedhore deri në fund të shkurtit ose fillim të marsit.

Kështu ka vlerësuar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke u bazuar në dinamikën aktuale të rinumërimit dhe afatet ligjore për ankesa.

Sipas tij, deri më tani KQZ-ja ka rinumëruar mesatarisht rreth 80 kuti votimi në ditë, me një kapacitet prej rreth 20 tavolinash numërimi. Edhe pas dyfishimit të kapaciteteve, KQZ-ja do të duhej të arrijë një ritëm prej së paku 150 kutish në ditë.

“Me këtë dinamikë, për rinumërimin e plotë të të gjitha vendvotimeve do të nevojiten të paktën edhe deri në dy javë”, ka theksuar Cakolli.

Pas përmbylljes së rinumërimit, do të fillojnë të rrjedhin afatet për paraqitjen e ankesave lidhur me procedurat e administruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Ky proces, sipas Cakollit, mund të zgjasë deri në 12 ditë: 48 orë për parashtrimin e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), tri ditë për vendimmarrje nga PZAP, si dhe një afat tjetër 48-orësh për ankesa në Gjykatën Supreme, e cila ka deri në pesë ditë kohë për të marrë vendim.

Vetëm pas shterimit të këtyre procedurave ligjore mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Edhe këto rezultate, sipas ligjit, mund të ankimohen sërish, me afate të ngjashme me ato të rezultateve paraprake, çka mund të zgjasë deri në 13 ditë shtesë.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto afate, Cakolli vlerëson se në skenarin më optimist, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë në mesin e muajit shkurt. Ndërkaq, në rastin më të pafavorshëm, procesi mund të zgjasë deri në fund të shkurtit ose edhe në fillim të marsit, në varësi të numrit dhe natyrës së ankesave që do të parashtrohen.