Rinisja e procesit të dialogut në Bruksel do të zhvillohet nesër, me grupet punese të Kosovës dhe Serbisë për për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, pritet që në këtë takim të vazhdojnë diskutime lidhur me dy tema te ngritura në takimin Hoti – Vucic.
Ky delegacion nga Kosova do të përfaqësohet nga Driton Selmanaj, Ibrahim Makolli nga grupi punues për çështjen e zhdukurve dhe Skënder Hyseni, koordinator shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, i emëruar së fundi nga Qeveria Hoti. Ndërsa pala serbe do të përfaqëspohet nga Marko Djuric, drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën.
Ky i fundit pak para nisjes deklaroi se se çështja e njohjes së ndërsjellë nuk do të jetë në rendin e ditës, por do të jenë bashkëpunimi ekonomik, çështja e të zhdukurve dhe të zhvendosurve dhe angazhimet e bëra nga pala e Prishtinës në Marrëveshjen e Brukselit.
Kujtojmë, që pas 20 muajsh, dialogu Kosovë –Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vucic.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e pati kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që tashmë është hequr e që asnjëherë nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.
Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011.
Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Por, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.







