Korrigjimi

‘Ringjallet’ ideja e korrigjimit të kufijve

Para fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte nisur ta proklamonte idenë e korrigjimit të kufirit me shtetin fqinj. Mirëpo kjo ide e tij kishte hasur në kundërshtim të ashpër si në Kosovë, ashtu edhe në disa prej vendeve të fuqishme të botës. Por ditët e fundit zyrtarët e BE-së edhe një herë kanë bërë të ditur se nuk përjashtojnë mundësinë që në kuadër të fazës përmbyllëse të negociatave Kosovë – Serbi të ketë edhe lëvizje të kufijve, shkruan sot Gazeta Zëri.

Megjithëkëtë, ndërmjetësuesja e dialogut Frederica Mogherini ka thënë se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy vendeve nuk guxon të mbështetet në vija etnike.

Një deklaratë të tillë e ka kundërshtuar ashpër kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar se Mogherini është duke e mbytur procesin e dialogut.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ndërkombëtarisht forcat për ndryshim të kufijve janë më të mëdha sesa forcat që janë të rreshtuara kundër këtij opsioni.