Ringjallen bizneset në Kosovë, eksporti rritet për 25 për qind

Bizneset kanë shënuar rritje të prodhimit, rrjedhimisht edhe të eksportit të produkteve në tregun e Bashkimit Evropian, në krahasim me një vit paraprak.

Afaristi Bashkim Osmani thotë se kërkesat për produktet e Kosovës janë rritur në shtetet e BE-së, me theks në Bullgari, Francë dhe Zvicër.

“15 për qind e kemi rrit vitin e kaluar në krahasim me vitin 2020. Kurse këtë vit është diku rreth 6-7 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Cmimet e arsyeshme, cilësia dhe kemi rritur eksportin dukshëm, sidomos në 3-4 vjetët e fundit”, u shpreh Osmani.

Pohimeve për trend pozitiv të eksportit u është bashkuar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Por, sipas tij, Kosova brenda vitit arriti të rrisë ekspotin për 67 për qind, duke e cilësuar atë si rezultat të qeverisjes së mirë, njëkohësisht me punën e bizneseve.

Mirëpo, të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës flasin pak më ndryshe.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se gjatë këtij viti eksporti u rrit për 131 milionë euro apo 25 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Brenda 9 muajve janë eksportuar mbi 600 milionë euro.