Prej disa javësh në shumë qytete dhe në qendër të Beogradit shihet një mbishkrim 40 metra i gjatë në mure ku ndër të tjera shkruan: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. Ky mbishkrim vije nga një këngë popullore që i pëlqente ta këndonte peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, i cili nuk është një njeri shumë i moderuar. Pak kohë pasi u shfaqën ato mbishkrime të mëdha, ushtria serbe i përqendroi në mënyrë kërcënuese njësitë e saj në kufirin me Kosovën, shkruan Die Zeit online, transmeton Ballkani.info.

Tekstin e Die Zeit po e transmetojmë të plotë online.

Kundër aktivistëve të cilët e kanë hequr atë mbishkrim në Beograd janë bërë ankesa për shkak të dëmit material të shkaktuar. Kuptohet, askush nuk beson se ushtria serbe do të hyjë realisht në Kosovë. Por mesazhi është i qartë: Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova, nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Është gjithashtu e qartë se këto mbishkrime në rrugët e qyteteve serbe as nuk mund të shfaqeshin dhe as të toleroheshin pa vullnetin e presidentit Vuçiq dhe është ai që e dërgon atë mesazh.

Ai e dërgon atë mesazh në Berlin dhe Bruksel. Për Gjermaninë, por edhe për Bashkimin Evropian, zgjidhja e çështjes së Kosovës është qendrore – prej vitesh janë të bindur se zgjidhet vetëm me Vuçiqin, e jo kundër tij. Aksioma e politikës evropiane thotë: Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor; nëse Serbia hyn në Bashkimin Evropian, do të marrë me vete edhe vende të tjera më të vogla; në mënyrë që Serbia të integrohet në BE, mosmarrëveshja për Kosovën duhet të zgjidhet; Vuçiq është një burrë i fuqishëm në Serbi dhe me të duhet trajtuar, sepse vetëm ai mund t’ua “shesë” serbëve zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte ajo që e bazoi strategjinë e saj ballkanike mbi këtë supozim. Ajo kultivoi një marrëdhënie shumë të ngushtë me Aleksandar Vuçiqin. Gjatë nëntë viteve ajo pati gjashtëmbëdhjetë takime me të, pak para se të largohej nga detyra e nderoi me një vizitë lamtumire në Beograd, ajo gjithmonë theksoi “marrëdhënien e tyre plot besim”. Vuçiq ka folur gjithmonë për “shoqen e tij të dashur Angela”. Si një djalë i dashuruar, ai foli se sa i emocionuar ishte kur takoi Merkelin.

Megjithatë, kjo miqësi shkon përtej marrëdhënies së tyre personale. Në vitin 2016, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit mori statusin e anëtarit të asociuar të Partive Popullore Evropiane (EVP), një shoqatë e partive kristiane-konservatore, të cilën e ka ruajtur deri më sot. Është e çuditshme në vetvete dhe për shkak se EVP mbajti një qëndrim më të fortë në lidhje me Fidesz-in hungarez, deri në momentin kur kryeministri hungarez dhe lideri i partisë Viktor Orbán u largua vetë nga EVP në 2021. Vuçiq e riorganizoi Serbinë sipas modelit të Orbanit, përkundër kësaj, pozicioni i SNS-së së tij me sa duket nuk u vu fare në dyshim. Aksioma se nuk mund të bësh pa Vuçiqin ende vlen.

Serbia po largohet nga Evropa

Nga kjo nuk shmanget as Brukseli. Kur Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Beogradin në tetor, ajo ishte plot lavdërime për “të dashur Aleksandër”. Nën udhëheqjen e Presidentit, Serbia ka arritur përparim të madh ekonomik. Në lidhje me ankesat e shumta për lirinë e medias, ajo tha: “Ju keni iniciuar reformat në lidhje me median” – urime! Tani duhet të kalojmë në realizimin e tyre!” Megjithatë, kjo vështirë se vihet re. Menjëherë para zgjedhjeve, gazeta bulevardeske Informer, e cila është zëdhënëse joformale e qeverisë serbe, ka shkruar se BE, SHBA, CIA dhe George Soros po mbështesin opozitën për të larguar Vuçiqin nga detyra.

Propagandë e pastër në stilin e Orbanit. Sipas një sondazhi të organizatës së shoqërisë civile me qendër në Beograd CRTA (Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi), në mediat serbe, që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, mbulimi kritik i Perëndimit ka dominuar, ndërsa Rusia ka qenë e  raportuar si shumë miqësore. Është e njëjta gjë në Hungarinë e Orbanit.

Megjithatë, Vuçiq, presidenti i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, ka dalë kundër BE-së më gjëra të tjera. Ai refuzon t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kur në atë rast iu bë presion, ai reagoi në mënyrën e tij. Serbia udhëhiqet nga një qeveri që furnizon me municion Ukrainën.

Çfarë saktësisht? Sa shumë? Nuk ka informacion të saktë për të. Një sekret shtetëror. Çfarëdo që të pretendojë Vuçiq, është e qartë se në Bruksel dhe Berlin janë të gatshëm ta besojnë atë. Ende konsiderohet i domosdoshëm, ndonëse prej vitesh nuk ka “lëvruar” asgjë sa i përket Kosovës. Dhe pse do ta bënit? Derisa të zgjidhet ky problem, mbetet i nevojshëm.

Prandaj mund të thuhet se Vuçiq është një artist i aftë i mbijetesës. Megjithatë, ky është një interpretim tepër dashamirës. Dy gjëra janë injoruar. Sa më gjatë që ai synon të qëndrojë në pushtet me ndihmën e BE-së dhe Gjermanisë, aq më e qartë po largohet popullsia serbe nga Evropa. Sondazhet e vërtetojnë këtë qartë. Kur Vuçiq u bë Kryeministër për herë të parë në vitin 2012, miratimi për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian ishte 70 për qind. Sot, është pak më shumë se 40 për qind. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Kurti: Radojçiq po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë