Rikthimi i pjesërishëm i tifozëve në Superkupën e Evropës, sinjal i mirë për futbollin

Për tifozin e Bayern Munchenit, Sven Widmann, ia vlejti vozitja deri në Budapest vetëm për të parë lojën e fituesit të Ligës së Kampionëve në Superkupën e UEFA-s, të enjten mbrëma, hera e parë që ai ishte në gjendje ta bëjë këtë në një stadium qëkur pandemia e koronavirusit e goditi Evropën në muajin mars.

“Ndeshja ime e fundit në stadium ishte në muajin mars”, tha Widmann, duke mbajtur veshur fanellën e re të Bayernit dhe duke bërë të ditur se në tribunat e stadiumit “Pushkash Arena” të Budapestit gjatë tërë kohës e ka mbajtur maskën në fytyrë, transmeton KOHA shkrimin e AFP-së.

Si një pilot-projekt i UEFA-s, për të lejuar kthimin e tifozëve në tribuna – rreth 15. 500 sosh e përcollën Superkupën në Budapest – i cili rezultoi i diskutueshëm pasi qeveria gjermane e klasifikoi kryeqytetin hungarez si një zonë rreziku.

“Të gjithë e dimë që nuk është e lehtë, veçanërisht me këtë situatë shëndetësore, të marrësh vendime të mira”, ka pranuar trajneri Hansi Flick, ekipi i të cilit e fitoi Superkupën e Evropës pas fitores 2:1 ndaj Sevillas që e siguroi vetëm pas vazhdimeve. “Ishte ndjenjë e mirë që kishte atmosferë në stadium dhe me vjen mirë që tifozët u paraqitën në tribuna për shkak se ky është një sinjal i mirë për futbollin. Shpresoj që tani tifozët të rikthehen në stadiume edhe në Gjermani dhe mos të preken nga virusi për shkak se kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Widmann, një mbajtës i biletave sezonale në stadiumin “Allianz Arena” të Muenchenit, pranoi se nuk e kishte ndërmend ta humbiste shansin për të parë më në fund ekipin e tij të zemrës, Bayernin përsëri në veprim.

“Realisht, ishte me të vërtetë një ndjenjë e veçantë, sepse ishim të mërzitur muajt e fundit që nuk mund ta shihnim Bayernin. Kështu që, të gjithë më shumë iu gëzuam rikthimit në tribuna se sa triumfit në Superkupë”, shtoi Widmann, të cilit iu desh që sukseseve të Bayernit në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve, t’i gëzohej nëpërmjet televizorit.

Pasi duhej të kalonte para kamerave termike speciale, të cilat matin temperaturën e trupit të tifozëve para se të hynin në stadium, Widmann ishte një prej rreth një mijë tifozëve të Bayernit që udhëtuan nga Gjermania drejt Budapestit. Pjesa dërrmuese e fanellave dhe shalleve të famshme të Bayernit që u ekspozuan në ndeshjen ndaj Sevillas u përkisnin tifozëve hungarezë të kampionit të Gjermanisë. Qindra tifozë të Bayernit u detyruan t’i kthenin biletat e tyre të ndeshjes me Sevillan pasi Markus Soeder, kryeministri i shtetit për Bavarinë, këtë javë paralajmëroi tifozët gjermanë të “mendonin dy herë” para se të udhëtonin në Budapest. Të gjithë tifozët që u kthyen në Gjermani pas ndeshjes, është dashur të dalin negativë në testet për COVID-19 ose të përballen me karantinë të detyrueshme prej dy javësh.