Vatra, shoqata e shqiptarëve në amerikë, si njëra prej shoqatave më të vjetra shqiptare në Amerikë, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se në 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në praninë e shumë shqiptarëve, dega e shoqatës Vatra në Boston ka ngritur flamurin e Kosovës në sheshin e qytetit të Bostonit në Amerikë.
Mentor Maksutaj, kryetari i shoqatës së Vatrës dega në Boston bëri hapjen e ceremonisë së ngritjes së flamurit, ku ndër të tjera ai kujtoi kohët e vështira ndër vite të popullit të Kosovës nën regjimin serb.
Në fjalimin e tij, Maksutaj tha se “pa sakrificën e shumë patriotëve ndër vite dhe luftës se UÇK-së e dëshmorëve të saj, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari e familjes së tij Kosova Nuk do ishte e pavarur! Kryetari VATRËS falenderojë Edhe kryetaren e Bashkisë së Bostonit që mundësoj ngritjen e flamurit të Kosovës duke mbyll fjalën e tij me “Zoti i bekoftë shqiptarët” dhe “Zoti e bekoftë Amerikën”! Flamurin e Kosovës e bekoi peshkopi shqiptarë Theofan Koja”.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ish-koloneli i Ushtrisë Amerikane z.Andrew Lawlor i cili shërbeu si ushtarë disa vite në Kosovë.
Ish-koloneli tashmë avokat në Masachusetts, në fjalimin e tij tha se ”shërbimi ushtarak në Kosovë, mbetën ndër kujtimet më të bukura të jetës së tij, duke kujtuar edhe vizitat në shkollat fillore atje apo brenda familjeve shqiptare”.
Gjithashtu, pjesë e ceremonisë ishin edhe përfaqësuesit e organizatave tjera shqiptare që veprojnë prej vitesh në Amerikë, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e komunitetit shqiptarë në Amerikë.







