Ishulli i Filipineve

Rihapet ishulli idilik i Filipineve, tashmë me rregulla të reja (Foto)

Filipinet kanë rihapur ishullin e tyre të famshëm të pushimeve, Boracay, i rifreskuar edhe me rregulla të reja, pas një periudhe mbylljeje që kishte si qëllim të minimizonte pasojat e dekadave dëme, të shkaktuara nga turizmi i pakontrolluar.

Ishulli idilik u mbyll në prill, pasi presidenti Rodrigo Duterte e quajti atë një “pusetë”. Sidoqoftë, tani pas rihapjes, ai ka rregulla të reja.

Në ishull nuk mund të konsumosh më alkool në plazh, ndërsa në hotele do të kufizohet numri i turistëve. Të gjitha sportet e ujit, përfshirë zhytjen, skitë në ujë etj., janë ndaluar për momentin, derisa të përfundojë një vlerësim i plotë nga zhytësit dhe biologët marinë.

Tri kazinotë e Boracayt janë mbyllur po ashtu, duke përmbushur kështu vullnetin e Dutertes. Në fakt, vite mbipopullim të ishullit të vogël, që më herët priste dy milionë turistë në vit, kanë bërë që ai të arrijë në limite.

Boracay konsiderohet nga revistat kryesore për turizmin si “një nga plazhet më të mira të botës” dhe ka një sipërfaqe totale prej vetëm 1.000 hektarësh. Në periudha të caktuara të vitit, atje mund të gjeje 40 mijë vizitorë, që shpenzonin një miliard dollarë në vit, por që linin pas edhe male mbeturinash.

Tani, sipas rregullave të reja, në ishull nuk mund të qëndrojnë më shumë se 19.200 turistë në të njëjtën kohë. Edhe të tjera vende në rajon, të prekura nga turizmi masiv, kanë përdorur mbylljen si një taktikë për të mbrojtur pika të caktuara nga shkatërrimi.

Autoritetet tajlandeze njoftuan në tetor se, gjiri i famshëm i filmit “The Beach” do të mbyllet pa afat, në mënyrë që ai të rimëkëmbet nga pasojat e turizmit.