Rifillojnë punimet për të tretën herë brenda gjashtë muajve, flet Drejtori i Urbanizmit në Podujevë (FOTO)

Punimet në rrugët e Podujevës, sipas qytetarëve po bllokojnë qarkullimin e automjeteve në një pjesë të rrugës ‘Zahir Pajaziti’ në qendër të kësaj komune.

Të njëjtit po thonë se këto punime ka tre vite që kanë nisur, ndërsa vetëm në 6 muajt e fundit është hera e tretë që hapen trotuaret për të vazhduar punët e mbetura në gjysmë.

Ballkani.info ka folur edhe me Drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha, i cili ka thënë se punimet kanë të bëjnë me një projekt dy vjeçar dhe pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

“Është një projekt dy vjeçar në të cilin janë të përfshira të gjitha infrastrukturat, përfshirë këtu kanalizimin fekal, ujësjellësin, energjinë elektrike, trotuaret, sinjalizimin dhe të tjerat. Ky projekt ka afat përfundimi deri në dhjetor të këtij viti”, ka thënë Jaha.

Në fund, Jaha ka thënë se me këtë projekt, do të largohen përfundimisht edhe shtyllat elektrike nga rruga. /Ballkani.info