Rifat Jashari dëshiron që ushtria e re ta mbrojë Kosovën siç kishte bërë UÇK-ja

Në ceremoninë ushtarake që FSK e ka mbajtur për nder të 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka folur edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.

Ai duke uruar të gjithë për formimin e ushtrisë së Kosovës ka thënë se dëshiron që këta ushtarë të jenë të gatshëm gjithmonë të mbrojnë territorin e Kosovës siç e ka mbrojtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Duke i falënderuar të gjithë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtetet që na kanë ndihmuar dhe shpresoj që prapë do të na ndihmojnë”, tha Jashari.

Epopeja e UÇK-së fillon më 5 mars dhe përfundon më 7 mars me Natën e Zjarreve. Më 5 mars 1998 kishte filluar sulmi në familjen Jashari ku pas tri ditësh qëndresë ishin vrarë komandanti legjendar Adem Jashari, vëllai i tij Hamza dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje. Sulmit i kishte mbijetuar vetëm Besarta, vajza e Hamzës që në atë kohë i kishte 11 vjet.