Ridvan Muharremi, pronar i furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, po intervistohet këtë të premte nga Prokuroria Speciale.
Sipas burimeve të Albanian Post brenda Prokurorisë Speciale, Muharremi është duke u intervistuar për skandalin me Rezervat Shtetërore.
Muharremi, sipas avokatit të tij po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.
Ai ishte angazhuar nga Qeveria për të gjetur kompanitë nga ku do të bliheshin mallrat për rezervat, por përkundër se pagesat u kryen, një sasi e konsiderueshme nuk erdhi asnjëherë.
Policia e Kosovës kishte bastisur në gushtin e vitit të kaluar Ministrinë e Industrisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari për skandalin me Rezervat Shtetërore.
Pas aksionit ishin arrestuar tre të dyshuar: Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Prokuroria Speciale akuzonte dy zyrtarë e MINT-it se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.
Për këtë temë, muaj më parë ishte intervistuar edhe Rozeta Hajdari.
Hajdari, pas intervistimit kishte thënë se nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, por për legjislacionin në fuqi për rezervat shtetërore.







