Rezultatet e para tregojnë se në Tunizi kanë fituar dy “autsajderë”

Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve presidenciale në Tunizi, fitore të papritur kanë shënuar dy “autsajderë” politikë, profesori i drejtësisë, Kais Saied, dhe shefi i kompanive mediale, Nabil Karoiu, i cili ndodhet në burg për shkak të akuzave për korrupsion.

Rezultatet e hershme tregojnë se tunizianë, të përballur me zhgënjim për mashtrimet lidhur me zhvillimin e vendit në tetë vjetët e kaluar që nga revolucioni, i kanë refuzuar politikanët e dy partive kryesore, të cilët kanë mbizotëruar në skenën politike në vitet e fundit, përfshirë partinë e moderuar islamike, Ennahda.

Bazuar në anketën e mbajtur gjatë zgjedhjeve, asnjëri kandidat nuk ka fituar vota të mjaftueshme për ta shpallur fitoren në rundin e parë, që do të thotë se dy kandidatët me më së shumti vota do të përballen në rundin e dytë, pra në balotazh.

Sipas këtyre rezultateve, profesori i drejtësisë, Kais Saied, i ka fituar 19.5 për qind të votave, ndërsa kandidati tjetër i ka marrë rreth 15.5 për qind. I treti në listë është kandidati i përkrahur nga partia Ennahda, Abdelfattah Mourou me 11 për qind të votave.

Këto ishin zgjedhjet e dyta presidenciale në Tunizi pas revolucionit të “Pranverës Arabe” të vitit 2011. Në to morën pjesë 26 kandidatë, përfshirë edhe kryeministrin Youssef Chahed, shkruan “The Guardian”.

loading…