Rexhepi: LDK-ja duhet ta votojë Osmanin sepse në të kaluarën i kemi votuar kundërshtarët më të mëdhenj

Ish-deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, thotë se deputetët e kësaj partie duhet ta votojnë Vjosa Osmanin si presidente të Kosovës. Shton se LDK-ja ka votuar më herët kundërshtarët më të mëdhenj të saj politik, e se tash Osmanin duhet ta votoj gjithsesi sepse ka qenë pjesë e tyre.

“Çdo deputet apo pjesa dërrmuese e LDK-së duhet ta votojnë Osmanin sepse ne kemi votuar edhe kandidatë tjerë që pastaj janë kthyer i kanë kritikuar dhe kanë thënë gjithçka në emisione e parlament. Ne kemi zgjedhë kundërshtarët edhe më të mëdhenj politikë, kryetarë të kuvendit, e të mos e zgjedhim një kolege që i kemi ndërruar dy fjalë e nuk është nami”, tha ai në KTV.

Osmanin e quan mbretëreshë të fitores historike. Rexhepi beson se ajo do të marrë votat për të qenë e para e vendit.

“Mund ta quaj mbretëreshë e fitores historike, Vjosa Osmanin. Iu ka dhënë përgjigje të gjithëve, kuadër i përgatitur politik. Ishte vullnet i të rinjve të LDK-së, VV-së e të tjerë e votuan atë për presidente prandaj shpresoj se shumë shpejt të votohet edhe në Kuvend. Besoj se të gjithë deputetët dhe pjesa dërrmuese e LDK do ta votoj Vjosën dhe do t’i japin funksionalitet institucioneve të Kosovës”, tha ai.