Rexhep Hoti: Presidenti Rugova do mbahet mend për ngritjen e vetëdijes politike dhe funksionalizimin e rezistencës paqësore

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, në ditën e 13 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, e ka kujtuar atë me dy ngjarje të asaj kohe.

Hoti ka thënë se ka dy gjëra për të cilat ish-presidenti Ibrahim Rugova do të mbahet mend gjithmonë e të cilat i ka ndarë përmes llogarisë së tij në facebook.

”Ishte viti 1984 kur me Nexhmedin Spahiun dhe një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) në Prishtinë e themeluam Klubin e parë Letrar “Pjetër Bogdani”. Më kujtohet që atë kohë, unë pata kënaqësinë ta drejtoja orën e parë letrare. Pas fjalës sime fillestare kisha nderin që me rastin e themelimit të klubit t’ia jepja fjalën Ibrahim Rugovës, në atë kohë studiues, i cili punonte edhe pranë Institutit Albanologjik.

Ishte një kohë që karakterizohej me një afërsi dhe një intensitet të punës shumë kreative ndërmjet studentëve dhe studiuesve të kohës. Kjo na bënte më tepër të ndiheshim të frymëzuar përballë asaj zymtësie e cila ishte krijuar në mungesë të lirisë së Kosovës. Por, puna me njerëz të fjalës siç ishte Rugova, na bënte që edhe më shumë t’i kuptonim përgjegjësitë tona si studentë.

Ish-presidenti Ibrahim Rugova do të mbahet mend për dy gjëra: 1) për ngritjen e vetëdijes politike te të gjithë shqiptarët për shtet të pavarur e sovran, pa dallim përkatësie, bindjeje e moshe dhe 2) për funksionalizimin e rezistencës paqësore për t’i shërbyer vlerave dhe qytetërimit perëndimor prej nga ishte formësuar identiteti dhe qytetërimi shqiptar”.