Reuters shkruan për 130 policë të EULEX-it që patrullojnë në veriun e Kosovës pas dorëheqjeve se serbëve

Agjencia Ndërkombëtare e Lajmeve Reuters shkruan se oficerët e policisë së Bashkimit Evropian po patrullojnë në Veri të Kosovës pas dorëheqjeve të policëve nga komuniteti serb.

Sipas Reuters janë 130 oficerë nga Polonia dhe Italia të cilët po patrullojnë në veri të Kosovës dhe se atje nuk ka prezencë të Policisë së Kosovës.

“Për momentin, ne duhet vetëm të monitorojmë situatën sepse situata është ende e ndjeshme,” citohet të ketë thënë Mariano Bastanza, komandanti i 25 karabinierëve italianë që mbërritën për të përforcuar kolegët e tyre polakë.

Ndërsa më tej Reutres thotë se një zyrtar i lartë i Kosovës në kushte anonimiteti i ka thënë se “për momentin veriu është një bombë me shumë njerëz të çmendur nga të dyja palët të gatshëm për ta shkaktuar atë dhe pa polici atje për të qetësuar situatën”.

Oficerët e policisë, gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e tjerë nga komuniteti serb lanë punën në fillim të këtij muaji, pasi Qeveria e Kosovës vendosi që targat ilegale të veturave duhet të zëvendësohen me ato shtetërore të Kosovës.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 u zotuan për një dialog të sponsorizuar nga BE-ja për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura mes tyre, por pak përparim është bërë.

NATO ka ende rreth 3,700 paqeruajtës në terren dhe ka kërkuar qetësi, duke thënë se do të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria.