Prishtina

Reshjet e shiut shkaktojnë rrëmujë në rrugët e Prishtinës

Shiu i rrëmbyeshëm që po bie gjatë ditës së premte, ka vështirësuar qarkullimin dhe ka shkaktuar rrëmujë në disa rrugë të Prishtinës.

Pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini tregojnë gjendjen e rënduar të trafikut tek rrethi në hyrje të Prishtinës, nga Mitrovica dhe Fushë Kosova.

Gjendje e njëjtë është paraqitur edhe në qendër të Prishtinës, në rrugën “Agim Ramadani” ku është parë kolonë e gjatë e veturave.

Në disa rrugë ka pasur edhe vërshime për shkak të sasisë së madhe të shiut. Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në Shkabaj, rruga poshtë urës është vështirë e kalueshme për shkak të grumbullimit të ujit nga reshjet e mëdha të shiut.

Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar se të premten do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

“Vranësirat gjatë ditës do të pësojnë zhvillime duke krijuar kushte për reshje të shiut. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-12 Celsius”, thuhej në njoftimin e institutit.

Sipas IHMK-së, kushtet agrometeorologjike janë përmirësuar shumë pas reshjeve të fundit të cilat përfshinë gjithë territorin e Republikës së Kosovës.