Reshjet e shiut “përplasin” drejtorin e Infrastrukturës në Ferizaj dhe këtë deputet të Kuvendit

Reshjet e shiut sot, përpos që nxorën në pah problemet e kahmotshme të rrugëve të Ferizajt, bëri që të “zgjohen” nga gjumi drejtori i Infrastrukturës së kësaj komune, Arbër Bytyqi dhe deputeti i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Bajrami.

Pas fotografive që qarkulluan në rrjete sociale të publikuara edhe nga Gazeta Raporto, e që pasqyrohej gjendja e rrugëve plot ujë, ka reaguar vet Bytyqi i cili me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook, tha se kjo erdhi si shkak ngritjes së pusetave të kanalizimit.

“Sasi e vogël e ujit që është parë në nënkalimin në qendër të qytetit sot është për shkak të ngritjes së pusetave të kanalizimit atmosferik dhe fekal për përfundimin e shtresës së dytë të asfaltit, pjesa tjetër është tendencë puro për përfitime elektorale e atyre që nuk bënë asgjë për Ferizajn, e qe besa edhe penguan projektet e Ferizajt”, shkroi ai, duke ju referuar qeveritarëve.

E nuk mungoi edhe reagimi i deputetit të Vetëvendosjes, Alban Bajrami i cili kishte vendosur të shkrujë më shkurt, por mesazhi i tij ishte shumë i qartë.

“Le të tregojë drejtori i Infrastrukturës se si planet e punës dhe projektet ja përgatitë shefi i kabinetit dhe shoku i tij ndërtues, që ka thithur të gjitha projektet e mëdha në komunën e Ferizajt.

Pastaj edhe mund të flasim, ama vetëm pasi të ngritet aktakuza për korrupsion nga prokuroria”, shtoi ai duke nënkuptuar se projektet për rrugët e Ferizajt janë “thithur” nga vet drejtori dhe kabineti.

Kujtojmë se në bazë të ligjit për rrugët, përgjegjësia dhe menaxhimi i rrugëve magjistrale bëhet nga Ministria e Infrastrukturës, kurse ato lokale nga Komuna.

Gazeta Raporto, me anë të fotove ju sjell gjendjen e tmerrshme të rrugëve gjatë ditës në Ferizaj.