Reshitaj: Sot në Kuvend realizuam dëgjimin publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid -19

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka thënë se ka realizuar dëgjimin publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid 19 në territorin e Republikës së Kosovës

“Sot në hapësirat e Kuvendit të Kosovës kemi realizuar dëgjimin publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid 19 në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se të ftuar kishin drejtues të institucioneve shëndetësore dhe institucioneve tjera të vendit si dhe përfaqësues të odave dhe sindakatave shëndetësore njëherit përgjegjës për implementim të këtij ligji.

Postimi i plotë:

Sot në hapësirat e Kuvendit të Kosoves kemi realizuar dëgjimin publik për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë Covid 19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Të ftuar kishim drejtues të institucioneve shëndetësore dhe institucioneve tjera të vendit si dhe përfaqësues të odave dhe sindakatave shëndetësore njëherit përgjegjës për implementim të këtij ligji.
Me këtë rast kam falenderuar të gjithë të pranishëmit për kontributin si dhe për rekomandimet e sugjerimet e tyre në lidhje me plotësimin dhe amandamentimin e këtij ligji.
Para tyre kam shpalosur propozimet e mia si kryetare e komisionit por edhe si profesioniste shëndetësore, propozime këto të cilat fillimisht do të miratohen në komision.
Kam propozuar që në këtë projektligj të përfshihen:
1. Kompensimi shtesë financiar për të gjithë profesionistët mjekësorë në veçanti për ata të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit me Covid 19;
2. Furnizimi me pajisje esenciale mbrojtëse për të gjithë qytetarët e vendit për aq kohë sa do të jetë i domosdoshëm përdorimi i tyre;
3. Mobilizimi i personelit mjekësor në vend për gjatë kohës së pandemisë me Covid 19 përfshirë edhe studentët e viteve të fundit të Fakultetit të Mjekësisë.
4. Institucionet e vendit të sigurojnë aq vaksina sa do të jenë të nevojshme për të gjithë qytetarët e vendit që në momentin që do kemi vaksinën kundër Covid 19;
5. Në rast nevoje përgjatë pandemisë institucionet private shëndetësore të shfrytëzohen për nevoja shtetërore.
Gjithashtu dua të falenderoj antarët e komisionit për ngritjen e shqetësimit për përkrahje financiare edhe për policinë e Kosovës si dhe inspektorët e të gjitha inspektoriateve, të cilët janë të angazhuar drejtpërdrejtë në betejën me Covid19 si dhe krijim të hapsirës ligjore për blerje emërgjente të respiratorëve, testeve dhe oxigjeno terapisë dhe materialit të nevojshëm.
Të gjitha rekomandimet që u dhanë sot ne si Komision do ti shqyrtojmë me seriozitet dhe do të punojmë që të procedojmë projektligjin mbrenda afateve të caktuara per në Kuvend.