Reshitaj: 300 deponi ilegale janë shkatërruar në Kosovë

Organizata Let’s do it Kosova në bashkëpunim me organizatën ‘Paqja studentore’ dhe me përkrahjen e Universitetit të Prishtinës, Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Mjedisit, kanë organizuar aksion për pastrimin e kampusit të UP-së.

Këshilltarja e kryeministrit, Albena Reshitaj ka thënë se në Kosovë janë shkatërruar afër 300 deponi ilegale dhe rreth 7000 ton mbeturina inerte janë vendosur në deponitë legale.

“Jam shumë e lumtur që projekti ‘Ta pastrojmë Kosovën’ ka marrë formën e duhur. Gjithashtu ne po e prezantojmë punën tonë edhe jashtë vendit. Po japim mesazhin se ne si shtet jemi duke punuar në fushën e mjedisit”, ka thënë Reshitaj.

Ajo gjithashtu tha se rreth 20% e popullsisë po merr pjesë në këtë aksion, që ka filluar në muajin shtator dhe do të përfundojë me 15 dhjetor.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se përkrah gjithë studentët në këto aksione të tilla duke deklaruar se ‘’Pa qenë Kosova mirë s`ka me qenë as Universiteti mirë’’.

“Falënderojmë gjithë pjesëmarrësit, zyrën e Kryeministrit, Ministrin e Ambientit dhe të gjithë studentët që morën pjesë”, deklaroi Demaj.