Reporterët pa Kufi i bëjnë thirrje BE-së të vendosë sanksione kundër Rusisë

Organizata ndërkombëtare e gazetarëve, Reporterët pa Kufi, ka dënuar dhunën dhe arrestimin e gazetarëve gjatë mbulimit të protestave të 23 janarit në Rusi. Reporterët pa Kufi i bëjnë thirrje BE-së, që si kundërpërgjigje ndaj dhunës dhe arrestimeve të gazetarëve të vendosë sanksione kundër Rusisë.

Gjatë protestës së 23 janarit, kundër arrestimit të opozitarit rus Alexei Navalny, në mesin e më shumë se 3700 protestuesve të arrestuar janë edhe rreth 50 gazetarë rusë.

Në lidhje me dhunën dhe arrestimet e gazetarëve është prononcuar Zhanna Cavelier, e cila është udhëheqëse e departamentit të Reporterëve pa kufi për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Cavelier është shprehur se pos arrestimeve, gazetaret janë ndalura dhe penguar qëllimisht që të mos mund të pasqyrojnë protestat. Vlen të ceket rasti i kanalit televiziv Dozhd, të cilit i ishte ndalur energjia elektrike, për të pamundësuar transmetimin e drejtpërdrejt të protestës në Moskë.

Gjatë mbulimit të protestës edhe pse gazetaret kishin shenja identifikuese, policia kishte ushtruar dhunë ndaj shumë gazetarëve, që kryesisht janë pjesë e mediumeve që kritikojnë pushtetin e instaluar nga Putin. Në mesin e gazetarëve ndaj të cilëve ishte ushtruar dhunë dhe që është bërë e ditur janë: Viktoria Odissonova, Tatiana Vasilchuk dhe Elizaveta Kirpanova gazetarë të “Novaya Gazeta”, Kristina Safonova dhe Yevgeny Feldman  gazetarë të “Meduza”, Vera Ryabitskaya gazetare e “Insider”, Daria Belikova gazetare e “Echo of Moscow”.

Në lidhje me dhunën dhe arrestimin e gazetarëve është prononcuar edhe Dimitry Peskov, i cili është sekretar i shtypit i Presidencës ruse. Peskov është munduar të arsyetoj dhunën e policëve, duke thënë se në protesta është vështirë të identifikosh gazetarët, andaj edhe mund të ketë raste individuale të ushtrimit të dhunës ndaj gazetarëve.