Reperi rrethohet nga policia teksa drejton ‘Hummer’ me ‘mitroloz’ në çati

Me siguri që kjo ishte diçka që nuk duhet bërë nëse nuk dëshiron të tërheqësh vëmendjen e policisë.

Por reperi amerikan Warchyld u detyrua ta kuptonte në mënyrën më të ashpër se nuk mund të dalësh në mes në New York me një makinë fuoristradë që ka të montuar në çati atë që duket si një mitroloz apo anti-tank.

Këngëtari  i ri, emri i vërtetë i të cilit është Chris Stoney,  habiti policët kur doli në bulevard me makinën e tij 2006 Hummer, teksa mbi kabinë kishte montuar një pushkë masive me ajër, por për policët kjo nuk ishte shaka.

“Ata më thanë të ngre duart lart. Besonin se isha një terrorist. Po më dridheshin duart dhe isha shumë nervoz ,” tha Stoney më pas për mediat.

Reperi nga Philadelphia tha se ishte ndaluar teksa shkonte drejt sheshit Times Square për të marrë pjesë në eventin promocional të këngës së tij.

Stoney shpejgonte më pas se pushka e tij me ajër qëllonte vetëm bluza për fansat dhe ishte një ide e kompanisë sponsorizuese Wardrobe.

Stoney me pas regjistroi me celular momentet kur policia çmontoi armën gjigande nga tavani i makinës së tij.

“Policia e New York sapo konfiskoi topin tim në makinë. Po ma marrin,” thoshte Stoney në videon e postuar në rrjetet sociale.

Stoney tha më tej se vlerësonte kujdesin e policëve gjatë çmontimit të topit, teksa iu tha se do të mund ta merrte mbrapsht më vonë.

“Nuk do të vij më kurrë në qytet,” shtonte ai me shaka Stoney.