Besko

Reperi kosovar i syrgjynosur nga Zvicra në Kosovë: Më mirë në burgun e Zvicrës se i lirë këtu

Reperi i dikurshëm Besko, emri i vërtetë i të cilit është Besjan Kaçorraj, në vitin 2016 ishte deportuar nga Zvicra në Kosovë.

Ai u dënua me syrgjynosje për herë të dytë në dhjetor të vitit të kaluar, pasi ishte lejuar të bënte një vizitë tek i biri, por nuk kishte ndenjur “urtë”, duke plaçkitur një filial poste, për çka edhe u kap nga autoritete zvicerane dhe i kushtoi me një syrgjynosje të dytë.

Një dokumentar i realizuar nga SRF dhe i publikuar në mediat më eminente zvicerane të enjten, ka shtjelluar jetën dhe të bëmat e reperit shqiptar që ka jetuar në Zvicër.

Ai iu ishte futur rrugëve të këqija qysh në adoleshencë dhe në vitin 2009 kishte përfunduar i dënuar me pesë vite burg për një grabitje të armatosur.

Besko në intervistën për dokumentarin e RSF-së ka thënë se për të, më mirë ka qenë të ishte në një burg në Zvicër se sa i lirë në Kosovë.

“Ndjeshmërinë e kam mësuar në burg”, thotë Kaçorraj. E megjithatë ai pretendon se nuk është penduar, duke thënë: “Nuk jam penduar, përveç vuajtjeve që u kam shkaktuar viktimave dhe familjes time”.

“Kam qenë në burg në Zvicër mbi pesë vjet. Në fillim ishte pothuajse më e vështirë për mua këtu në Kosovë sesa në burg në Zvicër. Në burgun zviceran ke qelinë, ushqimin, punën. Këtu nuk keni punë, para, asgjë”, ka thënë ndër të tjerash Bensko.

Ai gjithashtu thotë: “Tashmë tingëllon çmenduri: më mirë të jem i mbyllur në Zvicër dhe disi të ndihem si në shtëpinë time – në vend që të jem këtu në Kosovë, ku çdo ditë është një luftë”.

Reperi, i cili thuhet se tani jeton në Shqipëri, thotë për mediumin zviceran Tagesanzeiger: “Këtë herë kam mbaruar me Zvicrën”.

Ai thekson se as pas dhjetë vitesh kur edhe do të kalojë dënimi i tij i syrgjynosjes, nuk do të kthehet më në Zvicër, në vendin ku është rritur dhe ku rritet djali i tij.