Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani kanë vdekur 285 persona nga koronavirusi, njofton Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch”.

Përpos të vdekurve, u shtua edhe numri i të infektuarve. Gjatë 24 orëve të kaluara, në Gjermani u konfirmuan 2 mijë e 486 raste të reja të infektimeve. Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 127 mijë e 586, shkruan “Reuters”.

Ndërkohë shifra e përgjithshme personave të vdekur nga koronavirusi në Gjermani është 3 mijë e 254 persona. Ky numër mbetet ende i vogël në krahasim me shifrën e të infektuarve dhe me numrin e viktimave që është shënuar në Itali, Spanjë, Francë dhe Britani të Madhe.

Të gjitha këto shtete kanë numër shumë më të vogël të popullsisë, por shifër disa herë më të lartë të viktimave.

Qeveria gjermane pritet që brenda këtij muaji t’i largojë disa prej kufizimeve me qëllim të riaktivizimit të disa sektorëve ekonomikë.