Sherife Kçiku Vishaj

Rëndësia e marrëdhënieve me publikun pas pandemisë COVID-19

Shkruan: Sherife Kçiku Vishaj

Goditja që u është bërë shumë bizneseve nga përiudha e izolimit si pasojë e COVID-19 është shumë e madhe.

Tash kur ka nisur që shteti të fillojë t’u lejojë bizneseve të operojnë në kushte të caktuara, një pjesë e tyre janë në telashe serioze. Padyshim një numër jo i vogël i bizneseve finaciarisht janë dëmtuar shumë, dhe nuk është e lehtë që ta marrin veten, duke u përshtatur kushteve të operimit dhe kërkesave të klientëve.

Ka edhe kompani të cilat për shkak të situatës me pandeminë globale, janë detyruar edhe të reduktojnë staf, e disa madje edhe ta shpallin të mbyllur aktivitetin e tyre. Por ajo çfarë është parë si diçka e pashmangshme për një numër të madh biznesesh ka qenë ulja e pagave për punëtorët dhe ulja e shpenzimeve.

Siç po shihet kompanitë përveç telasheve me të hyra, staf etj, ato duhet të jenë të kujdesshme në atë se kush nuk bën të largohet nga puna, dhe si ta mbajnë stafin esencial.  Zakonisht në situata të tilla, stafi apo departamenti i PR-it, apo edhe agjencitë që ofrojnë këto shërbime, lirohen nga marrëdheniet kontraktuale, por kjo është çasje e gabueshme.

Pse?

Sepse edhe këtë situatën e ballafaqimit me krizë financiare, përpjekjet për rimëkëmbje, mbajtjen e klientelës, askush më mirë sesa stafi i PR-it, nuk mund ta bëjë. Ruajtja e brendit ka vlerë të madhe, madje brendi nuk bën asesi të preket, dhe çasja  profesionale  e PR-it është e nevojshme. Plasimi i një informate të komunikimit në mënyrë të pamenduar mirë, do të ishte me pasoja edhe më të madhe në këtë situatë përpjekjesh për rimëkëmbje.

Rëndësia e komunikimi të brendshëm 

Krahas komunikimit të jashtëm rëndësi të veqantë duhet kushtuar edhe komunikimit të brendshëm, kjo me qëllim të koordinimit të informatave me stafit. E veçanta e komunikimit të brendshëm është nisur nga fakti që në situatë krizash qarkullojnë informatat të shumta brenda kompanisë apo biznesit dhe është mëse e nevojshme që informatat të jenë nën kontroll. Secili nga stafi është një ambasador i kompanisë prandaj secila informatë që del prej tyre ka peshë të madhe. 

Roli i PR-it në rrjete sociale 

Lidhur me rëndësinë e PR-it, mund të prekim edhe një pikë tjetër shumë me rëndësi. Aktualisht, kompanitë janë duke përdorur rrjetet sociale si mjetin e vetëm të komunikimit përshkak të rrethanave të reja.  Edhe këtu PR luan rolin kyq kur jemi tek krijimi i përmbajtjes dhe formulimi i informatave para plasimit. 

Konkluzion

Konsiderojeni PR personin nga më të rendësishmit veçanërisht në situatën e rimëkëmbjes. Mos harroni se edhepse jeni në fazën e rimëkëmbjes dhe ballafaqoheni me probleme, ato mund të thellohen akoma më shumë në raste të caktuara. Për këtë është shumë me rëndësi që ta keni situatën nën kontroll.

Personat e PR-it mendojnë dy hapa përpara për secilin problem të kompanisë përfshirë: ruajtjen e imazhit, menaxhimin e reputacionit, promovimin e brendit, rritjen e prezencës online, forcimin e marrëdhëniet me palët e interesit dhe komunitetin ku operoni. 

Prandaj, investoni në këtë fushë nëse mendoni të keni qëndrueshmëri në treg sepse përqindje e madhe e suksesit të  biznesit tuaj i atribuohet padyshim për shkak të  PR-it të suksesshëm, përfshirë këtu strategjinë e suksesshme.