UP

Rektori flet për rastet e ngacmimit seksual në UP

Rastet e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës po shihen si fenomen shqetësues për këtë institucion.

Rektori i këtij universiteti, Marjan Demaj tregoi se cilat janë hapat që ka ndërmarrë drejt ballafaqimit me këtë dukuri.

“Natyrisht që ngacmimet seksuale janë dukuri të përhapura në shumë vende dhe është vështirë me i identifiku. Unë kam marrë një vendim, i kam takuar disa eksperte të kësaj fushe, kam kërkuar nga ato që ta caktojnë një grup punues dhe ato janë duke punuar dhe besoj se shumë shpejt do të dalin me një draft të planit se si të adresohet në mënyrë profesionale”, tha Demaj

Për më tepër, ai inkurajoi që raste të ngacmimeve seksuale të raportohen edhe te ‘Jeta në Kosovë’.

“ Ne kemi arkivën ku i deponojmë por kjo është e ndishme, le të vijnë te ‘Jeta në Kosovë’, le t’i deponojnë, në arkivë i depononi dhe organet do të merren me to”, tha Demaj.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, në mbledhjen e fundit të Senatit të UP-së, tha se një kandidat për avancim është akuzuar për ngacmim seksual nga një kandidate për specializim.

Manxhuka- Kërliu tha profesori Milaim Sejdini i plotëson kriteret formale për avancim por ia tha se një kandidate për specializim e ka denoncuar atë për një ngacmim.

Në këtë mënyrë, avancimi i këtij profesori u shty për mbledhjen e ardhshme.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’  u debatua mbi problemet e arsimit të lartë dhe atij të ulët.

Pjesëmarrës në debat ishin : Shyqyri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Marjan Dema, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Jehona Gjurgjeala nga organizata ‘TOKA’, Libor Chlad, nga Komisioni Evropian dhe Rozafa Koliqi profesor asistente në UP.

Në fund  të emisionit u transmetua  hulumtimi mbi konkursin për avancim në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore ku dy kandidatë po ankohen se u eliminuan padrejtësisht nga gara për Profesor Asistent.