Rektorati i UP-së preket nga koronavirusi, pezullohet puna për koh të pacaktuar

Koronavirusi ka depërtuar edhe në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është evidentuar një rast pozitiv me COVID-19 dhe për këtë si masë mbrojtëse është vendosur që të mbyllet rektorati.

Këtë e ka bërë të ditur Universiteti i Prishtinës të hënën pasdite. Rektorati, sipas njoftimit, do t’i ofrojë shërbimet për palë në mënyrë virtuale.

“Rektorati i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ si masë mbrojtëse për ruajtjen e shëndetit të stafit dhe të palëve, për shkak të rezultimit pozitiv me COVID-19 të një zyrtari të këtij institucioni, do të qëndroj i mbyllur deri në njoftimin e radhës. UP bën thirrje që të respektohen vendimet zyrtare për mbrojtje nga COVID-19, duke pasur kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit”, thuhet në njoftim.