Rekord i ri për Luvrin, mbi 10 milionë vizitorë në 2018

Luvri regjistron në këtë mënyrë një rritje prej 25% në raport me vitin 2017.

Luvri, muzeu më i vizituar në botë tejkaloi shifrën e dhjetë milionë turistëve në 2018, një shifër e pazakontë për një muze ndërkombëtar të arteve të bukura dhe të antikiteteve, sipas drejtorisë së tij.

”Për herë të parë në historinë e tij, dhe besoj se për herë të parë në historinë e muzeve, mbi dhjetë milionë vizitorë frekuentuan Luvrin në 2018’’, konfirmoi sot për median, Jean-Luc Martinez, president-drejtori i Luvrit.

Me 10,2 milionë vizitorë, Luvri regjistron në këtë mënyrë një rritje prej 25% në raport me vitin 2017 (8,1 M) dhe thyen rekordin për numrin e lartë të turistëve (9,7 M në 2012).

Shtetasit e huaj përbëjnë gati tre të katërtat e vizitorëve, por francezët vijojnë të jenë të parët në listë me 2,5 milionë, ose 25% e numrit të përgjithshëm).

Në 2017, Luvri ishte shumë pranë renditjes me Muzeun Kombëtar të Kinës me 8M, i ndjekur nga ‘’Metropolitan Museum of Art de New York’’.