Rekord i ri i rasteve me koronavirus në Evropë

Evropa shënoi rekord të ri prej mbi 123 mijë infektimesh ditore për 24 orë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëhet fjalë për shifrën më të lartë të infektimeve në një ditë që prej shpalljes së pandemisë, që është 8.3% më e lartë se rekordi i shënuar të premten e kaluar me rreth 114 mijë raste të reja.

Vatra e nxehtë e valës së dytë të infektimeve evropiane është Franca, që 24 orëshin e fundit preku një nivel të frikshëm prej gati 27 mijë infektimesh të reja.

Ritmet e përhapjes po shtohen pavarësisht se Franca renditet mes vendeve evropiane që kanë në fuqi aktualisht nivelin më të lartë të masave parandaluese në shumicën e qyteteve të mëdha.

Shifrat e infektimeve ditore janë të larta edhe në Britaninë e Madhe, ku ekspertët thonë se rikthimi i karantinës ka shumë gjasa të ndodhë gjatë ditëve në vijim, për të shmangur zhytjen në kolaps të spitaleve prej dyndjes së pacientëve.

Ritmet e shtimit të infektimeve ditore janë të pandalshme edhe në Itali e Gjermani.

Në raport me popullsinë, Çekia është vendi me numrin më të lartë, me 308 infektime për 100 mijë banorë në 24 orët e fundit, e ndjekur nga Franca e Spanja.