Regjistrohet rasti i parë me Omicron në SHBA

Një person në Kalifornia i cili është i vaksinuar kundër COVID-19, është regjistruar si rasti i parë në SHBA i identifikuar me variantin Omicron.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci, ka thënë se i infektuari ishte kthyer nga Afrika e Jugut, ishte i vaksinuar dhe se nuk kishte marrë dozën e tretë përforcuese, e se ai po përjetonte simptoma të lehta.

“E dinim se ishte çështje kohe para se rasti i parë me Omicron të detektohej në SHBA”, ka thënë Fauci, raporton AP.

Shtoi se shëndeti i të infektuarit po përmirësohej dhe theksoi rëndësinë e marrjes së dozës përforcuese. SHBA-ja po merr hapa shtesë për udhëtarët nga jashtë, duke kërkuar testime pavarësisht vaksinimit.