Regjistrimi i Popullsisë

Regjistrimi i popullsisë rrezikon të shtyhet sërish

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ka deklaruar se ekziston mundësia që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet sërish, pasi sipas tij, ende s’është bërë sigurimi i pajisjeve për regjistrim.

Regjistrimi do të duhej të kryhej në 2021-n, por ishte shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërsa sivjet ishe paraparë të niste më 1 shtator, por ishte shtyrë sërish.

Berisha ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se pos që s’është kryer sigurimi i tabletëve që shfrytëzohen për grumbullimin e të dhënave në terren, ende s’është arritur numri i duhur i rekrutuesve në këtë proces.

“Aktualisht i kemi kryer projektet e prokurorimit, por po ballafaqohemi me sfida. Sigurimi i tabletëve është sfidë, e kjo e afekton edhe trajnimin e stafit. Më 26 shtator kemi hapur konkursin por s’kishte aplikime të mjaftueshme deri më 2 tetor dhe u detyruam të bënim zgjatjen deri më 6 tetor. Mosaplikimi do të ndikojë në aktivitete të tjera”, ka deklaruar Berisha.

Sipas drejtorit të ASK-së, procesi i regjistrimit të popullsisë pritet të nisë më 1 nëntor e të zgjasë deri më 15 dhjetor. Ai ka thënë se për dallim nga 2011-a kur ishte kryer regjistrimi i fundit i popullsisë, tash si metodologji do të përdorën tabletët në vend të formularëve fizikë.

Ai ka shtuar se gjithsej do të marrin pjesë 3.500 regjistrues e 900 mbikëqyrës në tërë territorin e Kosovës.

“Tash do të përdorën tabletët që janë përgatitur nga ekspertë, e pa sigurimin e tabletëve s’mund të bëjmë regjistrim. Metodologjia ende do të jetë e regjistrimit derë më derë, por në vend të pyetësorëve në letër, tash do të jenë tabletë e aplikacione që sigurojnë një cilësi më të lartë të të dhënave. Pyetësorët i kanë 24 orë afat që kanë një qendër që të konfirmohen informatat e pas mbikëqyrjes, pyetësori konsiderohet i aprovuar dhe vazhdon tutje”, ka potencuar Berisha.