Refuzohet kërkesa për inicim disiplinor ndaj gjykatëses që përjashtoi avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogajt

Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova, e cila përjashtoi avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të pandehurit Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasje të rëndë.

Sipas burimeve brenda gjykatës, “Betimi për Drejtësi” merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.

Ndryshe, sipas kërkesës së avokatit Berisha, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) në mbledhjen e mbajtur më 12 korrik 2021, e ka konsideruar cënim të nderit dhe profesionit të avokatisë vendimin e Gjykatës së Pejës, e cila e kishte dënuar me gjobë dhe kishte përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, me arsyetimin se kishte drejtuar akuza se gjykata kishte qenë e anshme dhe paragjykuese ndaj rastit të Shaban Gogaj.

Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.

Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ) që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.

Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatësës Violeta Husaj-Rugova.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, më 28 qershor 2021 ka raportuar se avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga Gjykata e Pejës për të mbrojtur të pandehurin Shaban Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit, Agonis Tetaj.