Kosova

Reforma zgjedhore po mbetet në letër, Kosova funksionon me ligje të skaduara

Partitë politike në vend vazhdimisht shprehen të gatshme për ta iniciuar reformën zgjedhore, por që gjetja e modalitetit po bënë që procesi të mos shkoj deri në fund.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thonë se janë të gatshme t’i adresojnë këto përmirësime në Ligjin për Zgjedhje, por që kjo u mbetet liderëve politik.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë për Ekonomia Online se kjo temë duhet trajtuar mbi vlerësimet që i ka dhënë faktori ndërkombëtar, në veçanti Bashkimi Evropian me ngecjet që kanë qenë në zgjedhje.

“Reforma zgjedhore është një temë që duhet trajtuar me një interes të veçantë, kërkon konsensus politik dhe nacional, kërkon trajtimin e çështjeve dhe problemeve që kanë qenë të kaluarën, mbi të gjitha kërkon një vendim të guximshëm politik që lidhet me zgjedhjet lokale dhe me ato nacionale. A do të kemi një zonë apo jo, a duam të kemi një listë me preferencë të votimit me një tik apo me pesë tika, a duam të kemi zgjedhje të drejtpërdrejta apo jo, dhe a do të kemi balotazh apo jo. Pra këto tema duhet me i trajtuar mbi vlerësimet që i ka dhënë edhe faktori ndërkombëtar, në veçanti Bashkimi Evropian me ngecjet që kanë qenë në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.

Ai e sheh si të nevojshëm ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, pasi sipas tij, Kosova funksionon me ligje të skaduara.

“Ne i kemi ligjet por me qenë më i drejtpërdrejtë këto ligje kanë ndryshuar në vitin 2008, pas shpalljes së Pavarësisë, dhe disa ligjeve u ka skaduar afati për shkak se jemi duke punuar në shekullin 21 me legjislacion të 14 viteve më parë, kanë ndryshuar shumë rrethanat, dhe për këtë arsye është shumë e nevojshme që të ndodh ky ndryshim, mirëpo ka pasur edhe probleme serioze, në veçanti të menaxhimit të zgjedhjeve”, ka thënë Tahiri.

Edhe Adnan Rrustemi nga LVV-ja ka thënë se duhet të merren parasysh rekomandimet e ndërkombëtarëve sa i përket organizimit të zgjedhjeve. Sipas tij, reforma zgjedhore duhet t’u jap qytetarëve mundësi efektive për të votuar, e sidomos diasporës t’u mundësohet të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata.

“Po ne kemi qëndrimin konsistent sa i përket përmirësimit të procesit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që të gjitha rekomandimet e dhëna nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian, por edhe vëzhguesve vendorë për gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë, të adresohen edhe në ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje”, është shprehur ai.

“Në parim jemi dakord që të nis puna për t’i adresuar këto përmirësime në Ligjin për Zgjedhje, duke forcuar gjithmonë administrimin e zgjedhjeve, dhe duke u mundësuar qytetarëve mundësi efektive për të votuar, e sidomos bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, duke plotësuar mënyrën e votimit edhe me votimin nëpër ambasada dhe konsullata, por duke marrë parasysh procesin e numërimit të votave, duke gjetur modalitetin më të mirë që edhe garanton numërim të saktë, por edhe rezultate të shpejta. Gjithsesi që jemi dakord për të filluar në këtë legjislaturë sa më parë për t’i trajtuar rekomandimet, vërejtjet, defektet dhe për ta forcuar procesin”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk janë shprehur të gatshme të flasin për këtë çështje./EO