Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mënyrën se si është menaxhuar procesi i sigurimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore për vitin e ri shkollor.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Jashari ka thënë se edhe këtë vit nxënësit rrezikojnë ta nisin mësimin më 1 shtator pa tekstet shkollore, duke theksuar se kësaj radhe, sipas saj, nuk janë siguruar as tekstet në shkolla dhe as mjetet financiare për prindërit që duhet t’i blejnë ato.
“Edhe këtë vit, fëmijët tanë do ta nisin vitin shkollor pa qenë të pajisur me tekstet shkollore më 1 shtator”, ka shkruar Jashari.
Ajo ka akuzuar Ministrinë e Arsimit për keqmenaxhim dhe ka thënë se barra e këtij procesi po bie mbi prindërit, nxënësit dhe shkollat.
Sipas deputetes së PDK-së, Ministria po përpiqet që përgjegjësinë për vonesat t’ua atribuojë shtëpive botuese dhe librarive. Jashari pretendon se shtëpitë botuese i kanë dërguar MASH-it çmimet e teksteve shkollore për negocim më 12 maj.
Jashari i është referuar edhe Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore, duke cituar nenin 11.3, sipas të cilit botuesi duhet ta nxjerrë tekstin shkollor në shitje së paku një muaj para fillimit të vitit shkollor.
Ajo pretendon se katalogu i teksteve shkollore nga MASHTI u është dërguar shtëpive botuese vetëm më 19 gusht.
“Për shkak të vonesës së MASHTI në përgjigje për çmimet, shtëpitë botuese kanë vazhduar me procesin dhe kanë bërë të disponueshëm librat për libraritë”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka kritikuar edhe komunikatën e Ministrisë, duke thënë se ajo ka shkaktuar pasiguri te prindërit, të cilët tashmë nuk dinë nëse duhet t’i blejnë librat apo të presin për vendimin e institucioneve.
Sipas saj, situata ka krijuar stres për prindërit, vështirësi për nxënësit dhe ngarkesë shtesë për mësimdhënësit, të cilët duhet të gjejnë mënyra alternative për zhvillimin e mësimit pa tekste.
“Çfarë dështimi! Dhe mbi të gjitha, çfarë shembulli po u japim fëmijëve?”, ka shkruar Jashari.
Në fund, ajo ka vënë në pikëpyetje edhe pretendimet për reforma në arsim, duke argumentuar se nëse institucionet nuk arrijnë të sigurojnë tekstet shkollore në kohë, atëherë mbetet e diskutueshme se çfarë reformash mund të priten në sistemin arsimor.
Pretendimet e deputetes Jashari vijnë pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe ndërsa procesi i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore vazhdon të jetë në qendër të debatit publik.







