Reduktimet 6 me 2| Institucionet s’mund të koordinohen, qytetarët ankohen

Përveç krizës së ekonomisë, që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve të ushqimit dhe naftës, Kosova po përballet edhe me krizën energjetike, si pasojë e së cilës, tashmë disa ditë qytetarët po përballën me reduktimet të rrymës.

Për këtë, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është përballur me kritika të shumta si nga partitë opozitare por edhe nga njohës të politikës dhe qytetarët, të cilët kanë kërkuar që të merren masa në mënyrë që efektet e krizës të minimizohen, pasi që jeta e tyre është vështirësuar, shkruan lajmi.net.

Kritikat në drejtim të qeverisë u rritën edhe më shumë kur, para disa ditësh Instituti “GAP”, publikoi të dhëna ku njoftohej se me qeverinë Kurti investimet kapitale kanë qenë më të ulëtat në 10 vitet e fundit.

Në këtë vijë, nga ana e kundërt politike e qeverisë, u njoftua se janë disa ministri në qeveri që nuk kanë bërë asnjë investim kapital, ku në mesin e këtyre ministrive janë edhe Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave.

Por, ajo që ditëve të fundit ka ngjallur edhe më shumë pa kënaqësi ndaj qeverisë nga ana e qytetarëve është kriza dhe reduktimet energjetike.

Kujtojmë se disa ditë më parë filluan reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë, pas një njoftimi nga KEDS-i.

Por, një ditë pas njoftimit të KEDS, ishte Ministria e Ekonomisë ajo që dha një njoftim, sipas të cilit reduktimet do të ndaleshin, dhe do të fillonte furnizimi i rregullt me energji, kjo si rezultat i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, me saktësisht, mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë.

“Kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike. Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhej në njoftimin e ME-së.

Megjithatë, pavarësisht njoftimit të ME-së reduktimet vazhduan. Madje vetë KOSST, njoftoi se reduktimet me rrymë do të vazhdojnë, pasi që nuk ka kushte të mjaftueshme për furnizim.

“Njoftohen qytetarët e vendit që sipas masave dhe procedurave operative për balancim të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg: Furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS)”, thuhej në njoftimin e KOSST.

Pikërisht kjo paqartësi e krijuar nga Ministria dhe Operatorët Energjetikë, ka shtyrë që acarimi tek qytetarët të shtohet.

Së fundi, shumë prej tyre në prononcime të ndryshme janë shprehur të mllefosur me menaxhimin që qeveria i ka bërë krizës energjetike.

Vetëm sot, disa prej tyre e kanë cilësuar si tmerr dhe mjerim reduktimin e rrymës. Të tjerë, kanë thënë se situata me reduktime është më keq se sa që është paralajmëruar në fillim, pasi që ata kanë reduktime deri në 4 orë, ndërsa furnizim vetëm 2 orë. Kujtojmë se kur filluan reduktimet është thënë se reduktime do të ketë vetëm 2 orë.

Zenor Kalludra, qytetar nga Klina, thotë se për reduktimet po informohen përmes mediave apo edhe rrjeteve sociale.

“Po informohemi përmes mediave, Facebook-ut… Problem boll kur s’bën televizioni apo kurrfarë informimi. Terr, mjerim në shekullin 21”, thotë ai.

Ujup Ahmeti, qytetar nga Prishtina akuzon Qeverinë për reduktimet. Ai thotë se Qeveria nuk është duke ppunuar.

“Energji elektrike s’kemi. Dy orë kemi dhe katër s’kemi. S’po e kuptojmë shtetin. As s’ka rrymë, as ujë. Qeveria s’është duke punuar…”, janë shprehur qytetarët në një prononcim për Kosovapress.

Ajo çfarë e bënë edhe më shqetësuese këtë situatë, janë paralajmërimet që kriza energjetike gjatë dimrit do të përkeqësohet. Kjo pasi që çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile.

Është vetë zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Viktor Buzhala, ai që ka deklaruar se  çmimet e energjisë elektrike në berzë janë katërfishuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Sipas tij, trendet e rritjes pritet të vazhdojnë.

“Vitin e kaluar, gjatë stinës së verës, çmimi për megavat energji elektrike ka qenë rreth 100 euro… Deri në fund të vitit ka shkuar në 600 euro për megavat. Aktualisht është 400 euro për megavat”, ka thënë ai.

Sa i përket qeverisë, ajo nuk ka paralajmëruar ende ndonjë masë që do merret në mënyrë që kriza të ulët dhe jeta e qytetarëve të bëhet më e lehtë.