Reciprociteti | Kosova legalizon letërnjoftimet e strukturave paralele serbe, Sveçla nuk e mohon

Zyrtarët qeveritar po krenohen me arritjen e reciprocitetit me Serbinë sa i përket kalimit kufitar, por nuk po i përmendin letërnjoftimet e lëshuara nga institucionet paralele serbe. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me marrëveshjen e fundit është arritur legalizimi i këtyre dokumenteve, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

Qeveria e Kosovës po synon t’i ndalë targat me inicialet e qyteteve, të cilat lëshohen nga institucionet e Serbisë për serbët e Kosovës, por jo edhe letërnjoftimet që lëshohen nga strukturat paralele për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Ndonëse këto letërnjoftimet e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim për t’i ndalur apo konfiskuar.

Këto karta identiteti që lëshohen nga strukturat paralele serbe që janë të vendosura në Serbi, po konsiderohen si cenim i sovranitetit të Kosovës.

Zyrtarët qeveritar të Kosovës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, ndërsa ata serbë kanë thënë se në bisedimet e fundit kanë arritur legalizimin e këtyre dokumenteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar se në bisedimet që gjatë muajit të kaluar pala kosovare ka zhvilluar me palën serbe, nuk është diskutuar kjo çështje.

Nga pika kufitare në Bërnjak, ku kishte dalë për të parë zbatim e marrëveshjes gojore për reciprocitet, Sveçla ka folur për këtë çështje vetëm kur është pyetur nga gazetarët.

“Kjo nuk ka qenë çështje diskutimi fare. Nuk është ngritur fare. Ne për çfarë kemi diskutuar vendimi ka qenë për heqjen e fletë hyrje-daljeve, ajo është arritur dhe tash do të ballafaqohemi me sfida tjera. Ne terë kohen kemi deklaruar se reciprociteti është një çështje që do të shkoj hap pas hapi”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se fokusi i institucioneve të Kosovës është që të ndalen vetëm targat që lëshohen nga Ministri e Punëve të Brendshme të Serbisë për qytetarët serb të Kosovës.

“Ne kemi një vendim të institucioneve të Republikës së Kosovës për kalimin e këtyre targave nga ilegale në ilegale. Me këtë rast kemi ofruar edhe lehtësime për qytetarët tanë që posedojnë mjete me këto targa dhe unë jam i bindur se ata do të shfrytëzojnë këtë shancë, këtë lehtësim në të mirë të tyre dhe në zbatim të ligjshmërisë gjithandej Republikës së Kosovës. Duke qenë se edhe ata do të fitojnë drejtpërdrejt, jam i bindur se edhe ai proces do të shkoj pa problem. Nuk do të këtë fare nevojë për kurrfarë marrëveshje meqenëse është një çështje e rregulluar me ligj dhe duhet të zbatohet”, ka thënë ai, raporton Nacionalja.

Sot edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhen serbe, ka kërkuar nga qytetarët serb që t’i konvertojnë tabelat e tyre në RKS.

Në videon disaminutëshe, ai flet për lehtësirat që iu ofron shteti i Kosovës për ata që vendosin t’i konvertojnë tabelat, por nuk e thotë asnjë fjalë për letërnjoftimet që lëshohen për serbët e Kosovës nga strukturat paralele serbe, që janë të zhvendosura në territorin e Serbisë.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, ka thënë Kurti në video-mesazhin e publikuar në profilin e tij në “Facebook”.

Legalizimi i këtyre letërnjoftimeve, kompromisi i marrëveshjes

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pretendon se pala kosovare ka biseduar me palën serbe për këtë çështje. Ai ka vlerësuar se vazhdimi i përdorimit të këtyre letërnjoftimeve është kompromisi i fshehtë që ka bërë Kosova në bisedimet e fundit me Serbinë.

Sipas tij, Serbia e ka pranuar ndaljen e dokumenteve për hyrje-daljet vetëm pasi ka marrë garancione që Kosova do të vazhdojë t’i njoh këto letërnjoftime.

“Iku pa u komentuar, pa u dalluar, pika që e bëri të pranueshme për Vuçiqin marrëveshjen për dokumentet e identifikimit (ID). Problemi fillon kur kjo pikë bëhet pozicion zyrtar edhe i shtetit tonë. Kjo qeveri legalizoi dokumentet ilegale, të vulosura nga Serbia. Letërnjoftimet në fjalë e trajtojnë Kosovën si pjesë të brendshme të Serbisë. A nuk është ky cenim dhe degradim?”, ka vlerësuar Molliqaj.

Sipas tij, kjo marrëveshje është në shërbim të marrëveshjes se Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Por në fund të ditës, këto marrëveshje të pjesshme nyjëzohen tek Asociacioni etnik. Prej deklaratave që nuk do të diskutohet për çështje të brendshme të Kosovës e deri te pozicioni që njeh dokumentet ilegale është kapërcim i madh. Zhvillim dramatik!”, është shprehur ai.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka përmendur këtë çështje, duke thënë se kjo ishte një fitore e Serbisë.

Ai ka thënë për DW se marrëveshja gojore me Kosovën ka ruajtur dokumentet identifikuese serbe. “Megjithëse konfiskimi i dokumenteve është pezulluar, letërnjoftimet serbe të qytetarëve që jetojnë në Kosovë konsiderohen ilegale”, kishte thënë Vuçiq.

Kalimi kufirit pa dokumente shtesë

Në orët e para të ditës së 1 shtatorit, Serbia ka ndaluar lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e këtij shteti.

Në këtë mënyrë ka filluar zbatimi i reciprociteti në letërnjoftime, për të cilin palët janë pajtuar ta zbatojnë më 27 gusht. Prej arritjes se Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, në vitin 2011, Serbia ka lëshuar dokumente për hyrje-dalje për qytetarët e Kosovës që kanë hyr të territorin e Serbisë, ndërsa Kosova nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që reciprocitetin në letërnjoftime ta fillonte më 1 gusht. Madje, ditën e parë Kosova kishte lëshuar mijëra dokumente për hyrje-dalje, por për shkak të tensionit të situatës në veri, ndërkombëtaret kërkuan nga Qeveria që për një muaj ta shtyjë këtë vendin.

Me pas, me ndihmën e ndërmjetësuesve euro-amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, palët janë dakorduar për marrëveshjen e cila ka filluar së zbatuari nga 1 shtatori.