Reçica: Vizita e Kurtit në SHBA është e nivelit të ulët, edhe liderët e paraluftës kanë pasur takime të niveleve më të larta

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se vizita e kryeministrit  Albin Kurti në SHBA është e nivelit më të ulët që ka bërë një kryeministër, duke thënë se liderët e paraluftës kanë zhvilluar takime më të rëndësishme sesa kjo e kryeministrit Kurti.

Reçica ka thënë se qeveria Kurti është në “rënie e sipër” dhe se takimi në SHBA është nivel i drejtorëve të kompanive, e assesi i një kryeministri.

“Vizita e një kryeministri të Kosovës është e nivelit më të ulët që ka bërë një kryeministër. Bile mund të them edhe liderët politik ta paraluftës kanë pasur nivelin më të larta të takimeve. Ajo çfarë ka deklaruar dhe lëvizur  20 ditë atje në takime që s’po them që janë më të parëndësishme. Ato janë nivel të drejtorëve të kompanive ose menaxherëve të kompanive ose institucioneve të tjera por jo të kryeministrit”, tha Reçica.

“Një foto e kemi parë me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhe dhe është me një ambient se ku është mbajt takimi. Tash a është një farë shenje se vetë Kurti dhe qeveria e tij janë në rënie e sipër nuk mund ta komentoj por vizita e një kryeministri të Kosovës është e nivelit më të ulët që i ka ndodhur ndonjë kryeministri”, tha Reçica për EO.