Reçica u premton kategorive të dala nga lufta zyrë për kryerjen e shërbimeve në secilën komunë

Ministri në detyrë Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ia ka dorëzuar vendimin për kthimin e shërbimeve për kategoritë e dala nga lufta nga rajoni i Gjakovës në atë të Prizrenit, nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Reçica, tha se qëllim kanë ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, duke shtuar se vendi ka nevojë për politika të mirëfillta sociale.

Madje, ai i ka premtuar kësaj kategorie zyrë për kryerjen e shërbimeve në secilën komunë.

“Uroj që ky vit kështu si e kemi filluar të na ec mbarë të gjithëve, ndërsa ofrimi sa i më i lehtë i shërbimeve për qytetarët, ka qenë gjithmonë angazhim imi, madje shumë shpejt, sipas planit të ministrisë, këto shërbime do të ofrohen në komuna”.

“Vendi ynë ka nevojë për politika të mirëfillta sociale dhe i tërë angazhim imi dhe i ministrisë është në avancimin e këtyre politikave”, ka thënë Reçica.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, u ka bërë thirrje edhe ministrive të tjera, që t’i përshpejtojnë procedurat për kthimin e të gjitha shërbimeve të tjera në rajonin e Prizrenit.

“Në emër të kryetarit të komunës, Ragip Begaj, dhe në emër të Komunës së Malishevës, falënderojmë ministrin Reçica, për këtë vendim domethënës i cili ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për kategoritë e dala nga lufta, për ofrimin e shërbimeve më të lehta dhe aty Malisheva e ka vendin e saj, pasi tradicionalisht, në çdo aspekt është e lidhur me Prizrenin”.

Metush Kryeziu, përfaqësues i kategorive të dala nga lufta, e ka falënderuar ministrin Reçica.

“Përveç këtyre shërbimeve, urojmë që edhe Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të miratohet dhe të mbrohen vlerat e luftës dhe të rregullohen të gjitha çështjet e tjera që lidhen me këtë kategori, e të mos ndihemi të anashkaluar”.