Ministri i Punës

Reçica: Mbi 20 mijë lehona janë të papunësuara

E kemi quajtur vitin 2018 në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale si vit i reformave.

Kemi filluar me koncept dokumentin për marrëdhënien e punës të cilën e miratuam në Qeveri, nga i cili koncept dokument ne kemi hartuar dy projektligje, atë të marrëdhënies së punës dhe projektligjin për pushimin e lehonisë, skemës pensionale e të tjera. Ndërsa sfidë mbetet shkalla e lartë e papunësisë.Kështu tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skendër Reçica në konferencën e fundvit, ku ka folur për sfidat, problemet dhe të arriturat e kësaj ministrie.

Reçica tha se si ministri kanë arritur që gjatë këtij viti t’u bëjnë trajtim meritor pensionistëve, nënave lehonë, viktimave të dhunës seksuale të luftës, të kategorive me aftësi të kufizuar si dhe përmirësimit të punësimit, përmirësim në fushën e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e tyre të punës.Duke folur për marrëdhëniet e punës, Reçica tha se këtë vit kanë hartuar dispozita të qarta të cilat kanë bërë që të dy palët të evitojnë problemet me të cilat janë ballafaquar.

Reçica si një ndër të arriturat kryesore të MPMS-së, ka përmendur edhe projektligjin për lehonat ku sipas tij, përveç pagesës për lehonat e punësuara, kjo ministri ka propozuar që edhe nënat lehona të papunësuara të marrin nga 100 euro nga Qeveria në 6 muajt e parë. Ai tha se gjatë vitit 2017 kanë qenë mbi 24 mijë lindje, ku mbi 20 mijë prej tyre janë lehona të papunësuara. Kemi propozuar që nëna lehonë e papunë me një përqindje të pagës minimale në vend, me 100 euro në muaj, për 6 muajt e parë.

Si risi ka përmendur edhe pushimin prindëror, ku dy vitet e para kujdesi për fëmijën do të jetë nga të dy prindërit me nga 4 muaj.

Reçica tha se Kosova ballafaqohet me një sistem të komplikuar pensional meqë mungon një sistem i plotë i sigurimeve sociale si dhe mungesa e një ligji bazik për të gjitha beneficionet dhe për të gjitha kategoritë.

Megjithatë ai thotë se për këtë kanë hartuar një koncept dokument nga i cili synojnë të nxjerrin dy projektligje, dhe fondin për sigurim social.Kreu i MPMS-së premtoi se së shpejti do të bëhet edhe njohja e stazhit të të gjithë atyre që u larguan nga puna në vitet e rezistencës në vitet 1999, të cilët sipas tij do të kenë një pension dinjitoz.

Sfidë për Reçicën është edhe marrja e pensioneve të dyfishta, ani pse ka arsyetuar këtë duke thënë se kontributi i një qytetari duhet të shpërblehem pse jo edhe me dy pensione.Ai shtoi se përkrah reformave si ministri kanë arritur t’i funksionalizojnë skemat pensionale siç është pensioni invalidor e të tjera.
E shkalla e papunësisë mbetet e lartë.

Reçica pranon se ky problem është i trashëguar, ndonëse thotë se si ministri kanë bërë disa hapa për zbutjen e këtij problemi. Sipas Reçicës, ndihmë për uljen e shkallës së papunësisë do të ishte aftësimi profesional, sektori privat, ndryshimi i klimës së bërit biznes, meqë bizneset sipas tij janë gjeneruesit më të mëdhenj të vendeve të punës.