Real Madridi ka arritur marrëveshje të re me firmën e veshjeve Adidas, teksa do të përfitojë 110 milionë euro në vit, kontratë kjo e vlefshme për 10 vite.

Përkundër që po kalojnë nëpër një formë të dobët në fushë, “Los Blancos” e kanë dëshmuar edhe njëherë tjetër forcën në vlerën e klubit.

Marrëveshjet tregtare të klubit janë rritur me 16 për qind duke u ngritur në 297 milionë euro, ndërsa pritet që gjatë këtij sezoni të arrihet kuota e 305 milionë eurove.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez para disa javësh kishte paralajmëruar tifozët për periudhën historike në anën ekonomike nëpër të cilën do të kalojë klubi mbretëror, duke synuar edhe rinovimin e stadiumit “Santiago Bernabeu”.

Sidoqoftë marrëveshja për sponsorizimin në fanellë doli në ditët e fundit në shtypin spanjoll. Real Madridi do të fitojë 1 miliardë e 100 milionë euro nga marrëveshja e arritur me kompaninë gjermane të veshjeve, Adidas, duke u shndërruar në klubin që fiton më së shumti para nga reklamimi në fanellë.

Kjo shumë pritet të rritet edhe për 150 milionë euro në rast se kampionët e Europës fitojnë trofe.

Para Real Madridit, marrëveshjen më fitimprurëse e kishte arritur Manchester United, teksa kompania ishte sërish Adidas. “Djajtë e Kuq” ishin dakorduar në vitin 2014 me Adidasin për 11 vite, gjatë të cilave për secilin sezon do të fitonin 98 milionë euro.