Reagon zëdhënësi i KEDS-it: 69 për qind e konsumatorëve nuk harxhojnë 600 kWh në muaj

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala ka reaguar pas paralajmërimeve për ngritje të çmimit të energjisë elektrike duke u thirrur në bllok tarifë nga ZRRE.

Ai në një reagim në llogarinë e tij në Facebook ka dhënë disa statistika se sa për qind e konsumatorëve harxhojnë afër 600 kilovatë orë energji elektrike në muaj.

“Janë 69 per qind e konsumatorëve që nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën e 600 kWh. Gati 80 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë shifër gjatë muajve të verës. Ndërsa, edhe ata që e kalojnë për 600 këh të parë paguajnë më lire, pra njëjte për këtë pjesë shpenzimit”, ka shkruar Buzhala.

Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se do të subvencionojë qytetarët dhe bizneset për t’i mbrojtur nga rritja e tarifave të energjisë elektrike.

Për këtë, kjo ministri është zotuar për 75 milionë euro për subvencionim të energjisë për këto dy kategori.

“Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike. Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet  ndër të tjera në njoftim.